Hapet ekspozita për dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë

24/12/2020 14:02

Me një shkrepje të fotografisë që bëri më shumë se dy dekada më parë në vend, sot të gjithë po kanë mundësinë që të shohin këtë pasqyrim historik të ngjarjes më të madhe në Kosovë, që u shënua me vuajtje, masakra e dhimbje që na përcjellin edhe sot. Me qëllim të dokumentimit të krimeve të luftës, në hollin e Ministrisë së Drejtësisë, është bërë sot hapja e ekspozitës për Dokumentimin e Krimeve të Luftës në Kosovë.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi tha se hapja e kësaj ekspozite risjell dëshmitë më të trishtueshme të mizorisë së shtetit serb ndaj civilëve shqiptarë. Përkundër që trazon plagën e shqiptarëve, Selimi shtoi se e vërteta duhet të jehojë në botë.

“Na shërben për të dokumentuar krimet e vazhdueshme dhe terrorizmin shtetëror serb, por edhe vë në pah sakrificën dhe të vërtetën e Kosovës. Kosova secilën ditë e ka në kujtesë martirët për dëshmorët, për masakrat ndaj njerëzve tonë anë e kënd vendit. Vuajtjet dhe tmerrin e përjetuar ndaj viktimave të dhunës seksuale, të mbijetuarit e torturës dhe ankthin konstant të familjarëve të të zhdukurve. Të kalosh dekada të tëra, dhuna dhe terrori sjell trauma të papërballueshme, por populli ynë gjeti forcën të vazhdojë ecjen drejt lirisë për t’u ringritur nga hiri. E vërteta e Kosovës duhet të bëjë jehonë në botë, të drejtës tonë. Vuajtjet e njerëzve tanë na obligojnë të vendosim drejtësinë në vend, drejtësi si statisfaksion ndaj viktimave dhe thirrje për brezat që të mos harrojnë”, ka thënë Selimi.

Ndërsa, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci theksoi se Serbia ushtroi gjenocid në vend, e që për mbi 1600 persona nuk dihet ende për fatin e tyre. Për këtë ajo tha se e drejta e Kosovës, duhet të thuhet me zë fuqishëm në gjithë botën.

“Andaj, gjithmonë në momentet si këto kur ne bëjmë edhe një hap sa do të vogël duhet të kujtohemi se cfarë mund të bëjmë, e të bëjmë gjithsecili prej nesh në pozitat ku jemi, që e vërteta jonë të jetë ashtu sic është një, dhe e pandryshueshme. Që kontributi i secilit prej nesh për të thënë me zë të vërtetën tonë, të jetë më i madh secilën ditë. Dëshmitarë jemi të gjithë, fatmirësisht kemi çfarë të themi në anën e drejtë të historisë. Andaj uroj që jo vetëm të kemi sa më shumë aktivitete të tilla mundësi për të thënë të vërtetën tonë, por edhe që në mënyrë institucionale që të angazhohemi që të qojmë në vend secilën brengë dhe secilën të drejtë që na takon si shtet”, ka theksuar Nagavci.

E fotografi Alban Bujari ka theksuar se këto fotografi janë të masakrave të kryera në Kosovë. E për këtë ekspozitë ka falënderuar ministrinë e Drejtësisë.

“Unë kisha filluar me Prekaz, ku ka qenë prej masakrave të para që kam parë, ku nuk ka qenë lehtë as për neve që të dokumentojmë krimet e luftës që janë bërë prej forcave serbe. E falënderojë ministrin Selimi për përkrahjen për këtë ekspozitë. Por që nuk është vetëm Prekazi, është edhe Krusha, është Recaku, është Rogova, Robëria”, theksoi ai.

Në hapjen e kësaj ekspozite kanë marrë pjesë edhe Bajram Çerkini nga shoqata “Zëri i Prindërve”, e Nafi Krasniqi nga “Drejtësi për të Gjithë

FOTO GALERI
1/10

Top Channel