Qyteti i shenjtë i Betlehemit përgatitet për “Krishtlindjet më të trishtuara”, pa harenë që mbizotëron zakonisht atje në këtë periudhë të vitit dhe pa turistët që vërshonin në portat e Kishës së Lindjes së Krishtit.

Kufizimet e koronavirusit e kanë bërë thuajse të pamundur udhëtimin drejt qytetit palestinez në Bregun Perëndimor.

“Këto nuk janë Krishtlindje të zakonshme me Covid-19 dhe mungesën e turistëve: nuk ka pelegrinë, nuk ka banorë vendas; për të parën herë sheshi përpara Kishës së Lindjes së Krishtit është i boshatisur. Nuk kam parë Krishtlindje më të trishta”, shprehet Ibrahim Faltas, prift françeskan.

Më tej prifti shtoi:

“Sivjet, Krishtlindjet do t’i kufizojmë te lutjet. I lutemi Zotit që ta shpëtojë njerëzimin nga kjo pandemi që e ka bërë botën dhe liderët e saj të gjunjëzohen. Nuk duhet ta humbasim shpresën, sepse ka shenja pozitive dhe dashtë Zoti, do ecim përpara shpejt dhe të shpëtojmë prej kësaj sëmundjeje”.

Edhe pse vaksinat kanë nisur të shpërndahen, mjaft pjesë të botës janë në darën e kufizimeve të detyrueshme, përfshirë këtu karantina që ndryshojnë për nga rëndesa e tyre. Për çdo rast, kremtimet për Krishtlindje dhe Vitin e ri, këtë radhë do të jenë shumë ndryshe. Në Betlehem, mesha e Kërshëndellave do të mbahet pa praninë e besimtarëve dhe do të transmetohet online. Egjipti i ka ndaluar fare kremtimet në përpjekje për të frenuar shtimin e rasteve dhe në Filipinet me shumicë katolike, shumë kanë zgjedhur t’i kalojnë festat vetëm në vend që të mblidhen si përherë me familjet, nga frika e infektimit.

Top Channel