Sulm për shkak të detyrës? Të shtëna në lokalin e efektivit të “Shqiponjave”, flet vëllai: Dëgjuam krisma, kur kemi dalë jashtë…

23/12/2020 11:44

Mbrëmjen e djeshme, u qëllua me breshëri plumbash në drejtim të një lokali në Shkodër, i cili rezulton në pronësi të Albert Pjetrit, efektiv i “Shqiponjave”.

Në një prononcim për mediat, një nga vëllezërit e tij, Vlash Pjetri rrëfeu detaje nga ngjarja që ndodhi rreth orës 21:30, në afërsi të rrethrrotullimit të 5 heronjve të Vigut.

Ai u shpreh se gjendeshin në shtëpi në momentin kur dëgjuan krisma.

“Kemi qenë në shtëpitë tona si familje. Lokali ka qenë i mbyllur, kemi dëgjuar krismat. Kur kemi dalë, kemi parë lokalin, ishte dëmtuar. Pasi erdhi grupi hetimor për të bërë punën e vetë, kur thirrën vëllanë për të deklaruar, kemi parë që makina ishte goditur. Kaq dimë për momentin. Dyshimet se di, ne jemi familje që jetojmë me djersë të madhe. Pavarësisht njëri vëlla që është me Shqiponjat e tjetri me Patrullën. Kjo i takon shtetit që ta zbardhë”, tha Pjetri.

Më tej shtoi:

“S’kemi konflikte, asnjë prej familjes tonë. Përveç vëllait që punon me Shqiponja, është një punë e tillë… Por pjesa tjetër e vëllezërve që punojmë në dy lokale, s’kemi asnjë problem. Tani ia lëmë në dorë organeve hetimore, pasi nuk mund të akuzosh asnjë kur nuk ke fakte. Lokali nuk ka pasur kamera, pasi jemi qenë vetë si familje këtu dhe nuk kemi pasur probleme. Grupi hetimor ka kontaktuar me vëllanë. Kemi indicie, por se sa është e saktë, se dimë. Mendojmë se goditja ka qenë për shkak të punës së vëllait te“Shqiponjat”. Se di se ka pasur probleme madhore, por kjo s’do të thotë se duhet të mbërrijmë në këtë pikë”.

Top Channel