Pension social për familjen e Klodian Rashës, Murrizi: Akt normativ i turpshëm, qytetarët kërkojnë nga shteti mbrojtje

23/12/2020 12:34

Gjatë seancës së sotme në Kuvend, (e fundit për këtë vit), deputeti i opozitës parlamentare, Myslim Murrizi u ndal te Akti Normativ, sipas të cilit i akordohet një pension social tetëfish më i lartë, familjes së Klodian Rashës, 25-vjeçarit që u vra nga një efektiv i “Shqiponjave”.

Murrizi e cilësoi të turpshëm ndryshimin ligjor për dëmshpërblimin e familjeve të personave që humbin jetën aksidentalisht, nga operacionet e policisë.

“Nuk dua të bëj politikë me fatkeqësinë e asnjë familjeje shqiptare, nuk i përkas individëve të politikës meskinë e që për vota i drejtohen me turra lotësh familjeve në këto 30 vite. Kjo në funksion të një grushti votash më shumë. Akte normative për të dëmshpërblyer familjet, që nga arroganca e shtetit kanë humbur njerëzit e tyre, janë akte të turpshme pasi qytetarët kërkojnë nga shteti mbrojtje dhe drejtësi”, tha Murizi.

Më herët, në nisje të seancës, Kujtim Gjuzi shprehu ankesë lidhur me mosrealizimin e kërkesës së tij për interpelancë me kryeministrin Edi Rama.

Sipas kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, kërkesa ishte formuluar gabim, duke e cilësuar madje pyetjen e Gjuzit se përse Rama kishte shkuar për vizitë te familja e të ndjerit Klodian Rasha, si antikushtetuese.

Ruçi u shpreh se askush nuk mund ta ndalojë Ramën apo cilindo qytetar tjetër që të shkojë për ngushëllime, në këtë rast në familjen e 25-vjeçarit të ndjerë, i cili u qëllua për vdekje nga një efektiv i Shqiponjave.

“S’mund t’i ndalosh kryeministrit as me zakon e as me ligj se ku do të shkojë për ngushëllim”, u shpreh Ruçi.

Në lidhje me aktin normativ në fjalë foli edhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj.

“Ky Akt Normativ  ka si synim për t’i ardhur në ndihmë familjes në një situatë të vështirë. Qeveria ka propozuar që të krijohet mundësia ligjore për të trajtuar financiarisht familjen e personit që ka humbur jetën. Sigurisht bashkohemi me dhimbjen e familjes dhe këtë kryeministri Rama dhe gjithë qeveria e kanë shprehur që ditën e parë e ne vijim”, tha ministrja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA