Një person është bllokuar gjatë lëvizjes nga Policia Rrugore e Lezhës, pasi qarkullonte me shpejtësi në sens të kundërt me lëvizjen e lejuar në aksin rrugor Thumanë-Mamurras, duke rrezikuar jetën e tij dhe të shoferëve të tjerë në rrugë.

Paraditen e sotme, rreth orës 09:30, patrulla e Policisë Rrugore të DVP Lezhë që ishte në patrullim, në aksin rrugor Thumanë-Milot-Lezhë ka konstatuar një automjet tip “Benz” duke qarkulluar me shpejtësi në korsinë e shpejtësisë, në sens të kundërt, nga Mamurrasi për në Thumanë, duke rrezikuar seriozisht përfshirjen në ngjarje rrugore.

Patrulla e Policisë ka bërë menjëherë bllokimin e automjetit, si dhe ka proceduar për në OASH drejtuesin e mjetit, për lëvizje në sens të kundërt me lëvizjen e lejuar.

Policia Rrugore e Lezhës apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, sinjalistikën horizonte dhe vertikale dhe të mos kryejnë manovra të gabuara apo të qarkullojnë në sens të kundërt me lëvizjen e lejuar, pasi rrezikojnë seriozisht jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.

Top Channel