Komisioni Evropian akuzohet se ka ngadalësuar dhe kufizuar blerjen e dozave të vaksinës antiCovid, të prodhuara nga BioNTech dhe Pfizer sepse nuk donte të dëmtonte grupin francez Sanofi, me të cilin tashmë ka nënshkruar një kontratë, por që po vonohet me krijimin e variantit të tij të vaksinës.
Akuza e rëndë u hodh në një reportazh të gjatë nga e përjavshmja gjermane Der Spiegel, sipas së cilës kjo do të shpjegonte vonesat e mëdha krahasuar me vendet e tjera (të tilla si Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar) që i kanë nisur tashmë vaksinimet. BE-ja u mbrojt duke përmendur procedurat e saj më të rrepta të miratimit të medikamenteve të reja.
Berlini zyrtar kishte këmbëngulur fort gjatë javëve të fundit, që EMA, Agjencia Evropiane e Barnave të avanconte miratimin e vaksinës së BioNTec. Angela Merkel e ktheu në një çështje gati personale kur takoi dy krijuesit e vaksinës, Ozlem Tureci dhe Ugur Sahin. Sipas të përjavshmes së njohur megjithatë, tani është shumë vonë.
“BE-ja bleu pak vaksina e me shumë vonesë”, thotë Der Spiegel, sipas të cilit, nëse gjërat nuk ndryshojnë, Gjermania nuk do të ketë sasinë e vaksinave të nevojshme për të vënë nën kontroll pandeminë deri vjeshtën e ardhshme. Bashkimi Evropian ka porositur gjithsej 1.3 miliardë doza vaksinash, por për momentin janë dorëzuar vetëm një pjesë e vogël e tyre: 300 milion të versionit BioNTech-Pfizer dhe 80 milionë nga Moderna.
Top Channel