Ministria e Jashtme ruse u hakmor të hënën ndaj sanksioneve të BE-së për helmimin e dyshuar të liderit të opozitës ruse Alexey Navalny.
Në një deklaratë në faqen e saj zyrtare, ministria përshkroi masat kufizuese të BE-së ndaj disa qytetarëve rusë për përfshirjen e tyre të pretenduar në incidentin me Navalny-n si “të paligjshme” dhe “absolutisht të papranueshme”.
“Vendet që filluan këtë hap nuk kanë arritur të japin ndonjë provë mbi rastin, si për autoritetet ruse, përkundër kërkesave të përsëritura të Rusisë, ashtu edhe për partnerët e tyre të BE-së”, thuhet në deklaratë.
“Duke vepruar në një mënyrë të nxituar dhe sekrete, Këshilli i BE-së mori një vendim politik konfrontues që bie ndesh me prerogativat ligjore ndërkombëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe parimet e Helsinkit të mosndërhyrjes në punët e brendshme. Disa emra u zgjodhën rastësisht për t’iu përshtatur këtij vendimi të Këshillit të BE-së“, tha ministria.
Sipas Anadolu Agency, në përgjigje, Rusia zgjeroi listën e përfaqësuesve të vendeve anëtare të BE-së dhe institucioneve të cilëve do t’u ndalohet hyrja në vend, duke përfshirë “ata që janë përgjegjës për promovimin e nismave të sanksioneve anti-ruse brenda kornizës së BE-së”, thuhet në deklaratë.
Ministria informoi se notat, ku njoftohen masat reciproke, u janë dorëzuar shefave të misioneve diplomatike të Gjermanisë, Francës dhe Suedisë në Rusi, si dhe Delegacionit të BE-së në Moskë.
“Ne riafirmojmë se çdo veprim jomiqësor nga vendet perëndimore do të hasë në mënyrë të pashmangshme në një përgjigje adekuate”, tha ministria.
Navalny, 44 vjeç, një kritik i presidentit rus Vladimir Putin, u sëmur më 20 gusht në një fluturim për në Moskë. Pas uljes së detyrueshme në qytetin siberian Omsk, ai kaloi dy ditë në një spital rus përpara se të dërgohej në Berlin për mjekim.
Pas kryerjes së testeve në disa laboratorë, zyrtarët gjermanë njoftuan se Navalny u helmua me agjentin nervor Novichok, i cili gjithashtu u përdor, sipas qeverisë së Britanisë, edhe në sulmin e vitit 2018 ndaj ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij në qytetin britanik Salisbury.
Autoritetet ruse mohojnë çdo përfshirje në rast, duke thënë se armët kimike nuk janë zhvilluar dhe prodhuar në vend që kur u shkatërrua grupi i fundit në vitin 2017, siç është verifikuar dhe certifikuar nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCË).
Aktualisht, Novichok dihet se prodhohet në SHBA dhe Gjeorgji, sipas Yury Shvytkin, një anëtar i dhomës së ulët ruse të parlamentit, Duma.
Rusia këmbëngul se prova e helmimit të Navalny-t me Novichok është e fabrikuar, duke thënë se gjurmët e agjentit nervor nuk u gjetën gjatë qëndrimit të tij në Omsk dhe se është e nevojshme të hapet një hetim penal për atë që ndodhi. Por as Gjermania, as OPCË nuk kanë ndarë ndonjë informacion mbi helmimin e pretenduar të Navalny-t me Rusinë.
Top Channel