Marrëveshje e re ekstradimi me SHBA/ Zëvendëson atë të vitit 1933 të firmosur nga Faik Konica

22/12/2020 15:10

87 vjet pas marrëveshjes së ekstradimit të nënshkruar me SHBA në kohën që Shqipëria ishte mbretëri, këtë të martë në Tiranë u firmos një traktat i ri.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim, dhe ministrja e drejtësisë së Shqipërisë, Etilda Gjonaj e nënshkruan marrëveshjen e ekstradimit në një ceremoni nën hijen e kovid 19, ku diplomatja amerikane u kujdes të dezinfektonte edhe foltoren ku të do mbante fjalën.

kim u shpreh se kjo marrëveshje që modernizon luftën kundër krimit të organizuar është dëshmi e një partneriti të gjatë mes dy vendeve, që godet kriminelët që fshihen pas kufijve.

“Ky traktat u nënshkrua 87 vite më parë, në 1 mars 1933. Kjo ishte një kohë kur Shqipëria ishte Mbretëri, dhe jo Republikë. Ky traktat siguron një kornizë për t’u përballur me krimin. Ky traktat siguron një armë të fuqishme për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së kriminelëve, që fshihen pas kufirit. Personat e kërkuar për ndjekje penale për një krim të ekstradueshëm do të dorëzohen sipas kushteve të këtij traktati”.

“Korniza ligjore e deritanishme konsiderohej e tejkaluar prej evoluimit të legjislacionit penal ndër vite. Me marrëveshjen e re zgjerohet dhe përditësohet kategoria e veprave penale, për të cilat mund të kërkohet ekstradimi nga palët, mbi bazën e parimit të kriminalitetit të dyfishtë, duke përfshirë tashmë edhe veprat penale më të reja si ato me karakter financiar, tatimor dhe doganor, korrupsionin, veprat mjedisore, veprat në fushën informatike e çdo vepër që dënohet me heqje të lirisë për një periudhë maksimale prej më shumë se një viti ose për një dënim më të rëndë, me përjashtim të veprave penale me karakter politik”.

Ambasadorja foli në një kontekst më të gjerë edhe për faktin se SHBA do të jenë afër Shqipërisë, pavarësisht sfidave që përballet duke përsëritur mbështetjen për punën e Prokurorisë së Posaçme.

“Ne po punojmë dhe me BKH, duke ndihmuar në zgjedhjet më të mira, për të gjetur hartuesit me të mirë. Suksesi i SPAK nuk është vetëm çka SHBA presin, por është edhe ajo që shqiptarët duan. Vlerësoj marrëveshjen e ekstradimit mes vendeve dhe shpresoj se do të zbatohet shumë shpejt”.

Traktati i ri zëvendëson atë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Shqipërisë që kishte hyrë në fuqi prej vitit 1935, pas ratifikimit dhe nënshkrimit të Protokollit të Shkëmbimit nga Faik Konica, Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA dhe Cordell Hull, Sekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara.

Top Channel