Betohet sot para presidentit Meta anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Altin Binaj

22/12/2020 11:50

Ditën e sotme në institucionin e Presidencës do të mbahet ceremonia e betimit të Altin Binajn, anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Mësohet se ceremonia pritet të zhvillohet në orën 12:30.

NJOFTIMI I PRESIDENCËS

Në Institucionin e Presidentit të Republikës është administruar me nr. 4309 prot, datë 21.12.2020, Vendimi nr. 77, datë 17.12.2020 i Kuvendit të Shqipërisë, për zgjedhjen e zotit Altin Binaj anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në mbështetje të nenit 129 të Kushtetutës dhe nenit 8 të ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, pasi administroi vendimin e Kuvendit, ka vendosur:
-Zoti Altin Binaj, anëtar i Gjykatës Kushtetuese i zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, thirret për betim përpara Presidentit të Republikës, sot ditë e martë në datë 22.12.2020, ora 12:30.
Ceremonia e betimit zhvillohet në Institucionin e Presidentit të Republikës dhe për këtë ftohen të jenë të pranishëm Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë apo një përfaqësues i Kuvendit, Kryetarja në detyrë e Gjykatës Kushtetuese, dhe Avokatja e Popullit.

Top Channel