Një zonë e quajtur Boca Chica, në pjesën jugore të Teksasit, pranë kufirit me Meksikën është tjetërsuar në atë që themeluesi i SpaceX, Elon Musk, e quan “porta e Marsit”.

Këtu po ndërtohet raketa për udhëtimet drejt planetit të kuq dhe më tej. SpaceX, praktikisht po e transformon këtë komunitet pensionistësh në një mjedis futurist. Raketa e quajtur Starship, që po krijohet aty, një ditë do të dërgojë njeriun në Hënë dhe në Mars. Kjo anije hapësinore e ripërdorshme synon t’i bëjë udhëtimet ndër-planetare si udhëtimet e zakonshme ajrore.

Më herët, kreu i Space X, Elon Musk është shprehur besimplotë se kompania e tij do të dërgojë njerëz në Mars deri në 2026-ën. Ky është një objektiv mëse i arritshëm, sipas tij. Madje Musk mendon se një gjë e tillë mund të arrihet ndoshta edhe për 4 vjet.

“Po të jemi me fat, po”, thotë miliarderi, duke shtuar se në fakt dëshira e madhe e tij dhe ekipit të vet është që ta çojnë fillimisht një raketë pa ekuipazh në Mars brenda dy vjetësh. Afatin ambicioz të 2026-ës, Musk e pati përmendur për herë të parë në Kongresin Ndërkombëtar të Astronautikës shtatorin e vitit 2016, por tani mendon se është vërtet shumë më pranë realizimit të tij.

Top Channel