Transportohen me avionë ushtarakë 2 pacientë italianë me COVID nga Shqipëria drejt Italisë

20/12/2020 17:29
Pamje nga Italia

Italia ka bërë të mundur kthimin e dy  pacientëve italianë të infektuar me COVID nga Shqipëria drejt vendit fqinj përmes një avioni ushtarak.

Sipas medias italiane, transportimi i tyre u bë në orët e para të mëngjesit të së dielës. Italianët e infektuar janë transportuar nga Brigada 46 ajrore e Pisas, ndërsa pas një orë fluturimi u janë dorëzuar autoriteteve shëndetësore italiane.

Nga 23 tetori, 1141 ushtarë, 366 mjekë dhe 700 infermierë po punojnë në transportimin e qytetarëve të infektuar me Covid në Itali.

Komanda Operative e  Forcave të Armatosura ka në dispozicion 73 mjete fluturuese, përfshirë dhe 322 automjete për transportin e materialit mjekësor dhe mbrojtjes individuale.

Përveç këtyre, Ministria e Mbrojtjes në Itali ka vënë në dispozicion 18 struktura logjistike të Forcave të Armatosura me funksionin “Hotel Covid” për një total prej 2,353 vendesh për pacientët në karantinë, 4 spitale fushore dhe rreth 152 vende në spitalin ushtarak Celio në Romë dhe në qendrat spitalore ushtarake të Milanos dhe Tarantos.

Top Channel