Hetim për reaksionet e vaksinës/ FDA po verifikon efektet e vaksinës së Pfizer

20/12/2020 02:20

Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave, FDA ka nisur një hetim rreth pesë reaksioneve alergjike që ndodhën pasi njerëzit morën këtë javë vaksinën kundër koronavirusit të prodhuar nga Pfizer dhe BioNTech.

Lajmin e pohoi një zyrtar i FDA-së, Peter Marks, drejtor i Qendrës për Vlerësim dhe Kërkim pranë këtij institucioni. Ai tha se kimikati i quajtur polietilen glikon (PEG) që është përbërës i përdorur në vaksinën e Pfizer – si dhe në vaksinën e kompanisë Moderna të autorizuar për përdorim të premten – “ka gjasa të jetë fajtori” për reaksionet alergjike.

Marks sqaroi se reaksionet alergjike ndaj kësaj substance mund të jenë më të zakonshme se sa mendohej paraprakisht. Rastet në Alaska, ku qytetarët përjetuan reaksione alergjike pasi morën vaksinën kundër koronavirusit të ri, janë të ngjashme me ato që u raportuan në Britani javën e kaluar. Rregullatori shëndetësor në Britani tha se kushdo që ka histori të alergjive të rënda ndaj ilaçeve apo ushqimeve, nuk duhet të marrë vaksinën e Pfizer dhe BioNTech.

Ndërsa FDA mendon se shumica e amerikanëve që vuajnë nga alergjitë janë të sigurt që ta marrin vaksinën. Ky institucion tha se vetëm njerëzit që në të kaluarën kanë pasur reaksione të rënda alergjike ndaj vaksinave apo përbërësve që janë përdorur në këtë vaksinë të Pfizer, nuk duhet ta bëjnë injeksionin.

Top Channel