Departamenti amerikan i Shtetit do të mbyllë një konsultat amerikane në Rusi dhe do të pezullojë operacionet në një tjetër, raportuan mediat amerikane, duke cituar një zëdhënës dhe disa zyrtarë të tjerë.
Nëse Departamenti i Shtetit do të bëjë një gjë të tillë, atëherë ambasada amerikane në Moskë, do të mbetej zyra e vetme diplomatike e Shteteve të Bashkuara në Rusi.
Mediat raportuan për një deklaratë të një zëdhënësi të paidentifikuar, i cili citohet të ketë thënë se këto ndryshime kanë për qëllim që të “optimizojnë punën e misionit të SHBA-së në Rusi”.
Planet përfshijnë mbylljen e konsullatës në Vladivostok, një qytet i madh në Lindjen e Largët dhe pezullimin e konsulatës në qytetin e Jekateriburgut.
“Vendosja e personelit në ambasadën amerikane në Moskë do të na lejojë ne që të avancojmë interesat tona të politikës së jashtme në Rusi në mënyrë më efektive dhe më të sigurt”, citohet të ketë thënë një zyrtar.
Mediat raportuan se Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo do të konsultohet me ambasadorin në Moskë, John Sullivan, para se të marrë vendimin për këtë çështje.
Lajmet për mbylljen e konsullatave në Rusi vijnë në kohën e akuzave – të bëra edhe nga sekretari Pompeo – se Rusia qëndron prap sulmit kibernetik ndaj rrjeteve kompjuterike të një sërë agjencish qeveritare amerikane.
Konsullata amerikane në Vladivostok ka pezulluar punën e saj në muajin mars, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Top Channel