Përdhunuesi i tmerrshëm i Kalifornisë dënohet me 897 vjet burg

19/12/2020 20:16

Roy Charles Waller, përdhunuesi serial që ka terrorizuar veriun e Kalifornisë për 15 vjetët e fundit, do të kalojë pjesën e mbetur të jetës prapa hekurave.

Waller u dënua dje me 897 vjet burg pasi u shpall fajtor për krime si pengmarrje, plagosje, përdhunim, dhunim dhe shkelje të tjera të rënda, duke u dënuar për 46 sulme të kryera mes viteve 1991 e 2006 ndaj nëntë grave, të cilat dhanë dëshminë e tyre pasi kishin disa dekada që kërkonin drejtësi.

Waller, tashmë 60 vjeçar, sulmonte gratë duke hyrë me forcë në shtëpitë e tyre, duke i lidhur ato e duke i përdhunuar, deklaroi hetuesi i policisë së Sacramento Avis Beery.

Përdhunuesi serial i maskuar, godiste zakonisht natën dhe nganjëherë merrte peng viktimat e tij, duke i shoqëruar drejt automateve bankare ku i grabiste, apo merrte sende me vlerë nga shtëpitë e tyre, shtoi Beery.

Prej vitit 2006, policia zotëronte gjurmë të ADN-së së tij që e lidhte me të paktën gjashtë krime, por ata nuk kishin arritur të bënin lidhjen me Waller, sepse ADN-ja e tij nuk ishte e regjistruar në të dhënat kriminale.

Zgjidhja erdhi në shtator 2018, kur me anë të teknologjisë investigative gjenealogjike, hetuesit gjurmuan të afërmit e mundshëm të sulmuesit, duke nxjerrë Waller si të dyshuar.

Pas kësaj, brenda disa ditëve Waller u arrestua.

Por megjithse ADN e tij gjendej në të gjitha skenat e krimeve Waller vazhdon të thotë se është i pafajshëm dhe se do të apelojë vendimin.

Përveç nëntë grave që dëshmuan, në gjyq bënë deklarime oficerë të dalë në pension, hetues dhe mjekë ligjorë.

Disa prej dëshmitarëve ishin në të 80-at e tyre dhe kishin pritur me dekada për verdiktin, thuhej në deklaratën e zyrës së prokurorisë.(CNN)

FOTO GALERI
1/3
Waller u dënua dje me 897 vjet burg pasi u shpall fajtor për krime si pengmarrje, plagosje, përdhunim, dhunim dhe shkelje të tjera të rënda

Top Channel