Kina do të përqendrohet së pari në vaksinimin e grupeve me rrezik të lartë gjatë dimrit dhe pranverës përpara se të përfshijë publikun e gjerë.

Ministri i Komisionit Kombëtar të Shëndetit në Kinë tha “Gjatë sezoneve të dimrit dhe pranverës, vaksinimi i grupeve kryesore të popullsisë ka një rëndësi të madhe për parandalimin e epidemisë“.

Kina synon të realizojë imunitetin në grup, dhe vaksinimi i grupeve me rrezik të lartë – që përfshijnë punëtorë në industrinë e zinxhirit të ftohtë, doganat, kujdesin shëndetësor, tregjet dhe transportin publik – është vetëm pjesa e parë e një “programi hap pas hapi”, sipas ministrit.

Kina ka përfshirë dy vaksina kandidate nga Sinopharm dhe Sinovac Biotech Ltd në një program të përdorimit emergjent të filluar në korrik, duke synuar grupe specifike të rrezikut të infeksionit të lartë siç janë punonjësit në mjekësi dhe inspektorët e kufirit.

Nuk është aprovuar asnjë vaksinë për përdorim në publikun e gjerë. Kina po planifikon të vaksinojë deri në 50 milion njerëz para fillimit të festës së Vitit të Ri Hënor në Shkurt 2021, sipas një raporti në South China Morning Post.

Mao Junfeng, një zyrtar me ministrinë e industrisë së Kinës, tha në një konferencë se kompanitë kanë përfunduar “detyrat e tyre të ndërtimit të kapaciteteve” dhe do të jenë të afta të plotësojnë kërkesat nga grupet kryesore të popullsisë. Ai nuk tha sa vaksina do të duheshin gjithsej.

Burimi: Reuters

Top Channel