Biden refuzon presidentin e vetëshpallur të Venezuelës, Guaido, priten bisedime me Maduro – mediat

19/12/2020 18:07

Administrata e re presidenciale e Biden raportohet se fundmi se ka refuzuar bisedimet me Juan Guaido, i cili më herët konsiderohej nga SHBA si president i ligjshëm i Venezuelës, dhe mund të tërhiqet nga kërkesa për largimin e Nicolas Maduro.

Agjencia amerikane Bloomberg thotë se qeveria e re demokrate në SHBA do të ketë një qasje të re për Venezuelën, kombin të cilin administrata Trump e përkufizonte si pjesë e “trojkës së tiranisë” në Amerikën Latine, dhe se është e gatshme të negociojë me Presidentin Maduro duke mos vënë si parakusht largimin e tij.

Administrata Biden do të ofrojë heqje të sanksioneve në këmbim të zgjedhjeve “të lira e të ndershme” thuhet në raportim.

Por çfarëdo ndryshimesh që do të vijnë në administratën Biden nuk priten të jenë drastike. Biden pritet të “rikalibrojë” përdorimin e sanksioneve nga SHBA, duke reduktuar disa nga masat penalizuese. Elliott Abrams, i dërguari i Trump për Iranin e Venezuelën ka sugjeruar se administrata Biden duhet të vlerësojë qasjen e ashpër të Trump pasi “forcon dorën” e SHBA ndaj vendeve problematike.

Uashingtoni përshkallëzoi sanksionet ndaj Venezuelës në 2017, duke e izoluar nga tregjet financiare ndërkombëtare e gjymtuar eksportet e saj të naftës. Janarin e vitit të shkuar ata mbështetën kreun e sapoemëruar të parlamentit Juan Guaido, si president i vetëshpallur, duke deklaruar se rizgjedhja e Maduros ishte e manipuluar.

Top Channel