4 mijë euro për ta liruar/ Rrëmbyen një person në Sarandë dhe e mbajtën në Fushë-Krujë,  ekstradohet nga Athina një nga autorët

19/12/2020 11:36

Tirana- Një 29-vjeçar është ekstraduar nga Athina drejt vendit tonë për shkak se akuzohet për rrëmbim.

Sipas policisë i ekstraduari është Besmir Xhekrosa, 29 vjeç, lindur në Burrel. 29-vjeçari, në bashkëpunim me një person tjetër, ka rrëmbyer në qytetin e Sarandës, në vitin 2019, B. Z. dhe e ka mbajtur peng në Fushë-Krujë. Rrëmbyesit i kërkuan familjes së personit të rrëmbyer 4000 euro për lirimin e pengut.

Njoftimi i policisë:

Vijon bashkëpunimi i Interpol Tiranës me homologët, për kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Bashkëpunimi me Interpol Athinën vë në pranga me qëllim ekstradimi një 29-vjeçar, për rrëmbim personi me qëllim dhënie të një shume parash në këmbim të lirimit.

Nga Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Athina/Greqi drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar B. Xh., 29 vjeç, lindur në Burrel.

Shtetasi B. Xh. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana dhe falë shkëmbimit të informacionit që dispononte Departamenti i Policisë Kriminale dhe Interpol Tirana për vendndodhjen e këtij personi, në bashkëpunim me Interpol Athinën u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë i ka vendosur shtetasit B. Xh., masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”.

Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:

Shtetasi B. Xh., në bashkëpunim me një person tjetër, ka rrëmbyer në qytetin e Sarandës, në vitin 2019, shtetasin me inicialet B. Z. dhe e ka mbajtur peng në Fushë-Krujë. Rrëmbyesit i kërkuan familjes së personit të rrëmbyer 4000 euro për lirimin e pengut.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën  u bë i mundur ekstradimi i tij drejt vendit tonë.

Top Channel