Nishani justifikohet: Nuk e bëra unë tenderin abuziv për Uniformat, por Drejtori i Policisë, Hysni Burgaj

17/12/2020 14:54

Bujar Nishani, ka dy ditë që ka zgjidhur gjuhën në sulmin ndaj televizionit Top Channel pas publikimit të dokumentarit në lidhje me ministrat e Brendshëm të Shqipërisë.

Në dy postime të tij në 24 orë, Nishani sulmon Top Channel, duke hyrë në kontradiktë me veten; një herë e quan fake neës, pastaj kur ju publikuan dokumentet thotë se nuk e ka kryer ai, por Drejtori i përgjithshëm i Policisë.

Nishani, në dokumentar përmendej, se në kohën kur drejtonte ministrinë u akuzua për tenderin e famshëm të uniformave të Policisë së Shtetit me vlerën e 2.2 miliardë lekëve.

Tenderi që ka bërë më shumë bujë është i zhvilluar në kohën kur ministër i Brendshëm ishte Bujar Nishani, gjatë qeverisë Berisha 2. Tenderi iu dha një kompanie, drejtuesi i së cilës ishte arrestuar më parë me akuzën se kishte dhënë rrushfet me vlerën e 120 mijë eurove.

Kompania që fitoi tenderin, veç të drejtës për katër vite, e rinovoi sërish këtë kontratë me ministrinë e Brendshme. Për këtë kontratë të uniformave vlera e dëmit ekonomik përllogaritej 1,5 milionë euro.

Nishani në postimin e parë, e mohoi tërësisht këtë tender, dhe tha që është fake neës dhe deklaroi se as ai e as administrata e tij nuk kishin firmosur ndonjëherë ndonjë tender uniformash.

Pastaj, kur u publikuan dokumentet e tenderave, por edhe akuzat e kohës kur Nishani ishte ministër, si me emër kompanie ashtu edhe me detaje të tjera, ish-ministri, ka publikuar një postim ku thotë se atë nuk e ka firmosur ai poër Drejtori i përgjithshëm i Policisë së kohës Hysni Burgaj.

Madje ka publikuar edhe një vendim qeverie të firmosur nga kryeministri Sali Berisha, ku kompetenca e firmosjes së tenderave i kalon Drejtorit të Policisë së Shtetit.

Në fakt pikërisht kjo është anomalia më e madhe që e nxjerr Bujar Nishanin në skenë që në vend të vetullave të heqë sytë.

Një tender nuk firmoset asnjëherë nga titullari i dikasterit, pra, ministri, por gjithmonë nga drejtues përkatës. Kjo jo vetëm në polici, apo sektorë të tjerë të ministrisë së Brendshme, por edhe në të gjitha ministritë e tjera.

Detyra e një ministri është pikërisht që të drejtojë punën në dikaster për të kontrolluar, apo të krijojë mekanizmat e duhur të kontrollit, e më e pakta të ketë dijeni se ç’farë bëhet në dikasterin që drejton. E nëse shikon një anomali, e para është anulimi, e dyta është denoncimi.

Drejtoria e Policisë së Shtetit, nuk është një strukturë e ministrisë së Kulturës, por shtylla bazë e ministrisë së Brendshme, e këtu Bujar Nishani nuk mund të lajë duart si “Ponc Pilati”.

Kemi këto ditë shembullin më të freskët në këtë drejtim. Sandër Lleshaj, dha dorëheqjen si ministër i Brendshëm, pasi një polic, vrau një qytetar duke shkelur ligjin.

Këtu, Sandër Lleshaj nuk ja vuri fajin Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë si epror direkt i policit, por mbajti qëndrimin e tij si drejtues politik i institucionit.

Kurse Bujar Nishani, kërkon alibi, duke larë veten e fajësuar në këtë rast Drejtorin e Përgjithshëm të kohës që ka firmosur tenderin, por edhe Kryeministrin që ka firmosur VKM për kalim kompetencash.

Po mirë çfarë detyre kishte Nishani si ministër i Brendshëm? Meqë nuk e ka firmosur ai, po përgjegjësi a mban titullari i institucionit?

Si përfundim, fake news nuk paska qenë, tani i takon Nishanit të rrëfejë të gjithë të vërtetën, meqë e paska ndjekur dhe e ndjen se nuk ka përgjegjësi. Marre nga Gazeta Shqip

Top Channel