Zbulohen 250 mijë abuzime në institucionet e Zelandës së Re

16/12/2020 11:09

Komisioni Mbretëror i Zelandës së Re sot zbuloi se mbi 250 mijë fëmijë dhe të rritur të pambrojtur që ishin nën kujdesin shtetëror u abuzuan nga institucionet e drejtuara nga shteti nga viti 1950 deri në 2019-ën.

Komisioni që heton abuzimin në kujdesin shtetëror publikoi raportin e tij të përkohshëm, ku thuhet se numri i vërtetë i personave të abuzuar mund të jetë më i lartë.

“Deri në 655 mijë fëmijë dhe të rinj të pambrojtur ishin nën kujdesin e institucioneve shtetërore dhe ato me baza fetare (institucione fetare, si jetimore të drejtuara nga kisha) gjatë periudhës 1950-2019, ku deri në 250 mijë fëmijë, të rinj dhe të rritur të pambrojtur u abuzuan“, thuhet në raportin e komisionit sipas medias së huaj.

Sipas raportit të përkohshëm, gjatë kësaj periudhe ka ndodhur një gamë e gjerë abuzimesh dhe neglizhence fizike, emocionale, psikologjike, mjekësore, arsimore, shpirtërore dhe kulturore.

Faktorët e zakonshëm në rastet e abuzimit përfshijnë mungesën e trajnimit, kontrolle dhe ankesa të dobëta, procedurat e përgjigjes ndërsa rastet më të këqija përfshijnë ngacmime ose ndëshkime për raportimin e abuzimit.

“Diskriminimi dhe racizmi kishin një rol nga autoritetet dhe publiku si në kujdesin ashtu edhe në trajtimin e marrë”, thuhet në raport.

Kostoja ekonomike e abuzimit në nivel individual është vlerësuar në 857 mijë dollarë gjatë jetës së tyre ndërsa kostoja totale e abuzimit për shoqërinë dhe individin midis 1950-2019 shkon deri në 217 miliardë dollarë.

“Proceset e dëmshpërblimeve nuk kanë funksionuar për shumë të mbijetuar. Në vend të kësaj ka tendenca të përqendrohen në implikimet financiare ndaj shtetit në vend se të sigurojnë mirëqenie dhe kompensim për të mbijetuarit. Kjo ka krijuar në mënyrë të kuptueshme zemërim dhe traumë për disa të mbijetuar“, thuhet në raport.

Kreu i hetimit, Coral Shaë tha se kjo është pjesa më e rëndësishme e asaj që ka ndodhur deri më sot, por nuk është aspak fundi i asaj që do të zbulojë hetimi.

“Ne do të vazhdojmë të zbulojmë shumë më tepër në lidhje me natyrën dhe shkallën e abuzimit në kujdes gjatë këtij hetimi, i cili do të informojë rekomandimet tona përfundimtare për guvernatorin e përgjithshëm”, tha Shaw në deklaratë.

“Ne u jemi borxhli të mbijetuarve të abuzimit në kujdes të cilët kanë ardhur për të ndarë përvojat e tyre, disa prej të cilëve tani kanë vdekur. Pa to, nuk do të kishte një raport të përkohshëm“, tha Shaë.

Ministri për Shërbimin Publik, Chris Hipkins tha se raporti i publikuar sot është një shënim thellësisht prekës i dështimeve të kaluara të shtetit për qytetarët nën kujdesin e tij.

“Unë e mirëpres këtë raport të përkohshëm dhe vlerësoj guximin dhe vendosmërinë e të mbijetuarve që ripërjetuan përvojat e tyre të dhimbshme me Komisionin Mbretëror”, tha Hipkins.

“Raporti është i vështirë për t’u lexuar dhe tregon abuzimet enorme dhe të traumës që ka ndodhur. Lëndimi dhe ankthi që është shkaktuar në historinë e Zelandës së Re është i pafalshëm”, theksohet në raport.

Top Channel