27 vendet anëtare të BE-së synojnë ta fillojnë vaksinimin antiCovid në të njëjtën ditë në shenjë uniteti – tha shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të mërkurën.

Deklarata e saj në Parlamentin Evropian erdhi pas rritjes së presionit në bllok për të kapur hapin e SHBA-së dhe Britanisë, ku procesi i imunizimit tashmë ka filluar me vaksinën e Pfizer dhe BionTech.

“Për t’i dhënë fund kësaj pandemie, ne duhet të vaksinojmë deri në 70 për qind të popullatës. Ky është një mision gjigant. Ndaj le të fillojmë sa më shpejt që të jetë e mundur me vaksinimin, të gjithë bashkë, në një ditë”, tha Von Der Leyen.

“Le të fillojmë sa më shpejt që të jetë e mundur me vaksinimin, së bashku. 27 vendet anëtare do ta fillojnë vaksinimin në të njëjtën ditë, së bashku, ashtu sic kemi qëndruar gjatë gjithë kësaj pandemie. Le ta fillojmë çrrënjosjen e këtij virusi të tmerrshëm të bashkuar”.

Agjencia Evropiane e Ilaçeve e ka përshpejtuar takimin që do të mbahej më 29 dhjetor, duke e caktuar atë për të hënën e ardhshme, ku do të diskutojë për miratimin e mundshëm të vaksinës së Pfizer dhe Biontech. Ndërsa evropianët shihnin fillimisht Britaninë dhe më pas edhe SHBA-në, që nisnin vaksinimet, Gjermania, vendi i Biontech dhe von der Leyen po ashtu, bëri presion që EMA të mundësonte nisjen e procesit para Krishtlindjes. Shtetet e BE-së kanë edhe opsionin e procedimit në mënyrë individuale, sipas rregullave të emergjencës së EMA-s, por Komisioni Evropian do një proces të koordinuar në bllok për të garantuar që asnjë vend anëtar nuk do të mbetet prapa.

Top Channel