SPAK nis hetimin e dosjes “Partizani”/ I paditur për privatizimin abuziv  edhe dhëndri i Berishës

16/12/2020 15:17

Një muaj pas dorëzimit të kallëzimit nga Taulant Balla për privatizimin e ish Kompleksit Sportiv Partizani, që socialistët e kanë quajtur si një aferë të pastër korruptive shtetërore, Top  Channel ka mësuar se SPAK e ka regjistruar si procedim penal me numër 287/2020. Kjo çështje është duke u hetuar nga prokurorja e SPAK,  Enkeleda Millonai.

Tashmë zyrtarisht nën hetim nga SPAK janë ish-kryeministri Sali Berisha, ish ministri mbrojtjes Arben Imami, anëtarë të tjerë të qeverisë Berisha, përfshi Jamarbër Malltezi dhëndrin e Sali Berishës, përfitues direkt i kësaj prone si dhe drejtues të shtabit të ushtrisë shqiptare bashkë me administratorët dhe aksionerët e dy kompanive ndërtuese në atë kompleks.

Në qendër të  kallëzimit penal,   dorëzuar në SPAK nga kreu grupit parlamentar socialist Taulant Balla për privatizimit e këtij kompleksi, është Jamarbër Malltezi dhëndëri ish kryeministrit Berisha.

Prokurorja e SPAK, Enkeleda Millonai duhet ti japë përgjigje përmes hetimeve, objektit të kallzimit se të gjitha ministritë dhe shumë institucione u vunë në shërbim të zotit Malltezi i cili në vitin 2006 nënshkroi disa kontrata noteriale me pronarët e tokës ku ai emërohej përfaqësues i tyre. Suksesi kthimit të kësaj prone sic edhe ndodhi, sipas kontratave noteriale e shpërblente Jamarbër Malltezin me 3 deri 5 përqind  të sipërfaqes të kthyer të tokës.

Të qenurit e Jamarbër Malltezit dhëndëri  kryeministrit të kohës Sali Berisha, bëri që disa institucione shtetërore të përfshiheshin në këtë operacion privatizimi.

Një prej tyre ishte edhe Ministria e Mbrojtjes e drejtuar nga Arben Imami.

“Fakti që Ministrisë së Mbajtjes i është bërë presion për privatizimin e këtij objekti prej gati 1 viti tregon synimin dhe qëllimin e shpejtë për të realizuar tjetërsimin e kësaj prone. Ka qenë vetë ndikimi si dhe presioni i Jamarbër Malltezit mbi Ministrinë e Mbrojtjes,e cila  ka pasur në administrim Klubin e Sportit Partizani që t’i detyrojë ata për të tjetërsuar pronësinë e objektit” thuhen kë këtë kallëzim tashmë objekt hetimi nga SPAK.

Top Channel