“Njerëzit nuk e kuptojnë, jemi në situatë lufte”/ Itali, masa drastike për të evituar tragjedinë

16/12/2020 14:51

Një këshilltar i Ministrisë së Shëndetësisë në Itali, ka kërkuar që kufizimet për koronavirusin të ashpërsohen në mënyrë drastike në mënyrë që të evitohet një tragjedi kombëtare, pasi byroja e statistikave kombëtare, Istat, tregoi se vdekjet këtë vit do të ishin më të lartat që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Ne jemi në një situatë lufte, njerëzit nuk e kuptojnë, por herën e fundit kur kemi patur kaq shumë viktima ishte kur bombat binin mbi qytetet tona, gjatë luftës”, tha profesori Walter Ricciardi për mediat italiane.

Ricciardi, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, Roberto Speranca, tha se qeveria, që po merr në konsideratë forcimin e kufizimeve gjatë Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, duhet të mbyllë tërësisht qytetet e mëdha. Në një intervistë për të përditshmen “La Stampa”, ai tha se Roma është shumë e vonuar në reagimin ndaj valës së dytë të koronavirusit.

Italia raportoi të martën 846 viktima të reja të koronavirusit duke e çuar totalin në 65857, shifra e pestë më e lartë në botë. Qeveria ka gjasa ta shpallë gjithë vendin zonë të kuqe nga 24 dhjetori më 6 janar, me një ndalim qarkullimi gjatë natës të shtuar dhe ndalimin e lëvizjeve mes qyteteve. Italianët e parë ndërkohë do të vaksinohen menjëherë pas Krishtlindjes dhe para fillimit të vitit të ri, nëse Agjencia Evropiane e Ilaçeve, në takimin e 21 dhjetorit do t’i japë dritën jeshile vaksinës së Pfizer-it. Qeveria e ka tashmë gati planin e vaksinimit dhe pret të vendoset vetëm numri i personave që do të vaksinohen në ditën e parë, simbolike.

 

Top Channel