Kryeministri Rama çon për dekretim Bledi Çuçin si ministër të Brendshëm. Kjo lëvizje ka ardhur pas dorëheqjes së Sandër Lleshajt.  Bledi Çuçi mbante detyrën e ministrit të Bujqësisë, ndërsa tashmë do të zëvendësohet nga Milva Ikonomin si ministre bujqësie.

Bledi Çuçi do të pasojë Sandër Lleshajn në Ministrinë e Brendshme. Kryeministri Rama lajmëroi vetëm pak minuta më parë se do ti kërkonte Presidentit Meta që të dekretojë ministrin e ri të brendshëm.

 

Bledi Cuci është deputet i qarkut të Gjirokastrës dhe deri më sot ka mbajtur postin e Ministririt të Bujqëisë. Në vendin e tij do të shkojë Milva Ikonomi, për të cilën kryeministri kërkon rikthimin në kabinetin e tij. Më herët Konomi ka qenë edhe ministre e Ekonomisë.

Lëvizjet e fundit në qeveri vijnë pas largimit me dorëheqje të ish ministrit Sandër Lleshaj. Ai dha dorëheqjen pas ngjarjes së rëndë kur një efektiv i policisë së shtetit vrau me armën e shërbimit Klodian Rashën. Vrasja shkaktoi një seri protestash në të cilat u kërkua pikërisht largimi i ministrit Lleshaj.

Rama i ka cilësuar të dy këta politikanë si bashkëpunëtorë të përkushtuar në çdo detyrë që kanë kryer.

Rama në Twitter: Sot do të dërgoj për dekretim nga Presidenti, Bledi Çuçin si ministër të brendshëm dhe Milva Ikonomin si ministre bujqësie; dy bashkëpunëtorë të përkushtuar në çdo detyrë që kanë kryer këto vite, me integritet, profesionalizëm dhe kulturë qytetare e politike të padyshimtë.”

Kujtojmë se Lleshaj dha dorëheqjen e parevokueshme si ministër i Brendshëm, pas vrasjes së Klodian Rashës nga një efektiv policie.

CV e Bledi Çuçit
Bledi Çuçi lindi në Tiranë, më 14 nëntor 1970. Bledi Çuçi ka përfunduar studimet pasuniversitare (Master) për Menaxhim në Universitetin Hasselt në Belgjikë (1998) dhe studimet e larta për Drejtësi në Universitetin e Tiranës. Ka shërbyer në disa funksione drejtuese, ndër të tjera si Kancelar i Gjykatës së Rrethit Tiranë, Këshilltar i Ministrit, Dre­jtor i Drejtorisë Juridike dhe Integrimit dhe Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Pushtetit Vendor gjatë periudhës 2003–2005.

Gjatë kësaj kohe, Bledi Çuçi ka qenë edhe përfaqësues i qeverisë shqiptare në Komitetin për Demokracinë Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, Strasburg; anëtar i Grupit Ne­gociator të Shqipërisë lidhur me nënshkrimin e Mar­rëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Komunitetit Europian dhe anëtar i Bordit të Drejtorëve të Institutit për Trajnimin e Adminis­tratës Publike në Shqipëri. Gjatë viteve 2006–2010, Bledi Çuçi shërbeu si këshilltar dhe ekspert për disa programe ndërkombëtare në Kosovë dhe Shqipëri. Në vitet 2010–2011 drejtoi Sho­qatën për Autonominë Vendore në Shqipëri.

Ai u bë pjesë e strukturave drejtuese të PS-së që në vitin 2007, kur u zgjodh anëtar i Asamblesë Kom­bëtare të PS-së dhe kryetar i Komisionit të Asam­blesë për Çështjet e Pushtetit Vendor. Që prej Shkurtit 2012, ai mban detyrën e Nënsekretarit për Çështjet Zgjedhore në PS. Që prej shtatorit 2013, për tre vjet e gjysmë Bledi Çuçi ushtroi detyrën si Ministër Shteti për Çështjet Vendore dhe Kordinator Kombëtar kundër Korrupsionit. Në këtë detyrë, ai udhëhoqi punën për përgatitjen dhe zbatimin e Reformës Administrative Territoriale, një nga reformat më të suksesshme të qeverisë Rama.

CV e Milva Ekonomit
Datëlindja: 31 Dhjetor 1962
Vendlindja: Tiranë
Edukimi: Statistikë dhe Ekonomi nga Universiteti i Bujqësisë. Master në Administrim Biznesi ( MBA ) nga Universiteti i Tiranës.
Grupi parlamentar: PS
Karriera politike: 2013-2016: Zëvendësministre e Shëndetësisë. 2000-2011: Anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Anetar i PS.
Karriera profesionale: 1994-2005: Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Statistikave të Shqipërisë. 2006- 2007: Anetare e panelit të ekspertëve të projektit “PARIS 21” (OECD). 2007–2008: Ekspert kyç në Agjencinë Evropiane për Rindërtim (EAR) në Kosovë. 2008 – 2013: Këshilltar Afatgjatë i Statistikave Suedeze (Sida) në Agjencinë e Statistikave të Kosovës. Lektore në Universitetin e Tiranës, Universitetin Bujqësor, si dhe në Universitetin “Zonja e Këshillit të Mirë”.
E dhënë specifike: Eksperte ekonomike, numri 2 ne listen shumeemerore te PS ne qarkun Durres

Top Channel