Këshilltari italian paralajmëron “tragjedi kombëtare”, ndërsa numri i vdekjeve nga COVID-19 shkon drejt niveleve të luftës

16/12/2020 17:05

Një këshilltar i ministrisë së shëndetësisë të Italisë ka bërë thirrje që kufizimet si pasojë e coronavirusit të shtrëngohen në mënyrë drastike për të shmangur një “tragjedi kombëtare” pasi Byroja Kombëtare e Statistikave ISTAT tha se vdekjet këtë vit do të ishin më të lartat që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Ne jemi në një situatë lufte, njerëzit nuk e kuptojnë këtë, por herën e fundit që patëm kaq shumë vdekje, bomba po hidheshin në qytetet tona gjatë luftës”, tha profesori i shëndetit publik Walter Ricciardi të martën në mbrëmje për kanalin televiziv la7, përcjell Telegrafi.

Sipas Reuters, Ricciardi, këshilltari i Ministrit të Shëndetësisë, Roberto Speranza, tha se qeveria, e cila po konsideron shtrëngimin e kufizimeve gjatë festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, duhet të bllokojë plotësisht qytetet kryesore.

Në një intervistë me të përditshmen e së mërkurës La Stampa, ai tha se Roma kishte qenë “vazhdimisht vonë” duke iu përgjigjur valës së dytë, të vjeshtës, të virusit.

Italia raportoi 846 vdekje nga COVID-19 të martën, duke e çuar totalin zyrtar në 65,857, të pestin më të lartë në botë.

Por ashtu si në shumë vende të tjera, ky numër total konsiderohet të jetë një nënvlerësim sepse shumë njerëz që vdiqën nga COVID-19 gjatë valës së parë nuk u testuan kurrë për virusin.

Ndërkohë, kreu i ISTAT, Gian Carlo Blangiardo tha të martën se numri i përgjithshëm i vdekjeve në Itali këtë vit do të kalojë 700,000, kundrejt 647,000 në vitin 2019.

“Herën e fundit që diçka e tillë ndodhi ishte në vitin 1944 kur ishim në kulmin e Luftës së Dytë Botërore”, citohet të ketë thënë ai për televizionin shtetëror RAI.

Kryeministri Giuseppe Conte të martën u bëri thirrje italianëve të shmangin tubimet “e papërgjegjshme” gjatë pushimeve dhe tha se qeveria mund të bëjë disa “rregullime të vogla” për kufizimet e saj aktuale.

Por Ricciardi i tha La Stampa se kjo nuk ishte e mjaftueshme: “Holanda është mbyllur me gjysmën e vdekjeve tona, Gjermania ka mbyllur me një të tretën e tyre – unë nuk e kuptoj këtë hezitim. Nëse nuk marrim masa adekuate, po shkojmë drejt një tragjedie kombëtare”.

Top Channel