Durrës, me arkivol në duar/ Protestë për Klodian Rashën, arrestohen 2 persona dhe procedohen 2 të tjerë

16/12/2020 09:23

Dy persona kanë rënë në pranga dhe dy të tjerë janë proceduar penalisht në Durrës, pasi akuzohen se organizuan një protestë për vrasjen e Klodian Rashës, në një kohë kur grumbullimet janë të ndaluara prej situatës së pandemisë.

Policia e Durrësit deklaron se, ndonëse shërbimet e Policisë u kanë bërë të ditur që nuk lejohen tubimet, ata kanë vijuar të protestojnë. Mbrëmjen e djeshme, në sheshin ”Liria” në qendër të qytetit, të rinjtë protestues improvizuan një ceremoni funerale me një arkivol në duar, mbi të cilin shkruhej: Kush është tjetri?

Me arkivolin në duar, ata iu drejtuan godinës së Drejtorisë së Policisë Vendore.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit Sh. M., 24 vjeç dhe A. B., 30 vjeç, si dhe proceduan penalisht shtetasit A. V., 20 vjeç dhe F. D., 23 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”, thuhet në njoftimin e policisë.

“Drejtësi për Klodianin”/ Protestuesit në Durrës me arkivol në duar: Kush është tjetri?

Top Channel