BioNTech do furnizojë Kinën me 100 mln doza të vaksinës së COVID

16/12/2020 12:11

Kompania BioNTech njoftoi sot se do të furnizojë 100 milionë doza të vaksinës së COVID-19 në Kinë si pjesë e marrëveshjes me kompaninë farmaceutike kineze Shanghai Fosun.

BioNTech do të bëjë furnizimin fillestar të vaksinës nga objektet e saj të prodhimit në Gjermani, njoftoi kompania në një deklaratë me shkrim.

BioNTech dhe Fosun Pharma në mars të vitit 2020 njoftuan një bashkëpunim për të zhvilluar dhe komercializuar vaksinën potenciale kundër COVID-19 bazuar në platformën e teknologjisë mRNA të BioNTech.

Më 24 nëntor, kompanitë njoftuan fillimin e testeve të “fazës 2” të vaksinës në Kinë.

“Dëshirojmë të falënderojmë qeverinë kineze dhe Administratën Kombëtare të Produkteve Mjekësore për angazhimin dhe besimin e tyre në përpjekjet tona të zhvillimit të vaksinave për të ndihmuar në adresimin e këtij kërcënimi global të pandemisë. Kjo përpjekje e përbashkët zhvillimi me Fosun Pharma është një dëshmi e rëndësisë së bashkëpunimit global dhe pasqyron strategjinë tonë për vaksinat tona globalisht. Kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm drejt qëllimit tonë të përbashkët për të sjellë një vaksinë të sigurt dhe efikase për njerëzit në të gjithë botën”, tha Uğur Şahin, drejtues ekzekutiv dhe bashkë-themelues i kompanisë BioNTech.

Vaksina e kompanive BioNTech dhe Pfizer, e zhvilluar në Gjermani, tashmë ka marrë autorizimin e përdorimit emergjent në SHBA dhe Britaninë e Madhe dhe të dy vendet kanë filluar vaksinimin e grupeve prioritare të popullsisë.

Top Channel