Biden merr detyrën më 20 janar/ Ceremonia e inaugurimit, nën masa të forta sigurie

16/12/2020 15:44

Komisioni i Inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Joe Biden ka publikuar masat për mbrojtjen e shëndetit publik gjatë ceremonisë që do të zhvillohet më 20 janar, në kushtet e krizës së koronavirusit, e cila u ka marrë jetën qindra mijëra amerikanëve.

Komisioni tha në një deklaratë se po bashkëpunonte me Komisionin e Përbashkët të Kongresit për Ceremonitë Inauguruese “në mënyrë që inaugurimi… të nderojë dhe të ketë tiparet e traditave të shenjta amerikane, duke bërë ndërkohë që amerikanët të ndihen të sigurt dhe që të parandalohet përhapja e COVID-19s”.

Më 20 janar, Biden dhe Nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris do të bëjnë betimin në shkallët e Kapitolit në Uashington në kushtet e “protokolleve të fuqishme për mbrojtjen e shëndetit dhe të sigurisë”, pas të cilit Biden do të mbajë fjalimin e inaugurimit, tha komisioni. “Pjesëmarrja në ceremoni do të jetë jashtëzakonisht e kufizuar dhe parada vijuese do të ketë një formë të ndryshme,” thuhej në deklaratë.

Komisioni po u bën thirrje amerikanëve të qëndrojnë në shtëpi gjatë aktiviteteve përuruese të asaj dite. Prania e Presidentit Donald Trump në ceremoni ende nuk është e konfirmuar.

I pyetur gjatë një interviste me televizionin Fox News nëse do të merrte pjesë në ceremoni, Trump, u përgjigj: “Nuk dua të flas për këtë.” SHBA vazhdon të shënojë shifra rekord përsa u përket infektimeve dhe vdekjeve nga koronavirusi, me më shumë se 16.5 milionë raste dhe mbi 300 mijë viktima.

 

Top Channel