“Unë nuk shitem”/ Vrasja e Klodian Rashës, reagon sërish Imzot George Frendo: Nuk mbështeta asnjë parti politike

15/12/2020 13:37

Pas betejës së fituar me koronavirusin, ku u trajtua për 33 ditë me radhë në një spital të Italisë, Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë-Durrësit, Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot George Frendo tha se teksa gjendej i shtruar në godinën spitalore mundi të ndjehej më afër Jezu Krishtit, por edhe të gjithë atyre që po vuanin bashkë me të nga pandemia.

Ndër të tjera, Frendo u pyet mbi deklaratën e tij për vrasjen e 25-vjeçarit, Klodian Rasha nga një efektiv i Shqiponjave.

“Kush e lexon deklaratën time, duhet të kuptojë që unë nuk kam mbështetur asnjë parti politike. Një grua më ka thënë: a je shitur? Unë nuk shitem, as blihem. Në fakt unë shpeshherë kam folur kundër korrupsionit, padrejtësisë, në mbështetje të të rinjve, që po dalin jashtë shtetit. Përpiqem të flas gjithmonë të vërtetën pa asnjë respekt për asnjë parti politike”, tha ai.

Reagimi i mëparshëm i Imzot George Frendos:

“Gjatë qëndrimit tim për rikuperim nga Covid-19 në Itali kam ndjekur lajmet për ngjarjet në Shqipëri pas vrasjes së një djali 25 vjeç nga një polic. Dua të shpreh mbështetjen dhe ngushëllimin tim me familjen e Klodian Rashës, për këtë humbje të madhe. Policët zbatojnë një punë shumë të dobishme në shoqëri, që duhet ta vlerësojmë. Por i lutemi ta ushtrojnë me shumë përgjegjësi dhe respekt për çdo qytetar. Por duke u përgatitur për kremtimin e lindjes së Princit të Paqes, Jezu Krishti, e ndiej detyrë të bëj edhe këtë vërejtje. Si vend demokratik, populli ka të drejtë të protestojë. Por duke shmangur çdo lloj vandalizmi dhe dhune. Vandalizmi është absurd, sepse kush paguan për pronësinë publike të dëmtuar? A nuk jemi ne, me taksat tona? Si tha David Cameron, ish kryeministri i Mbretërisë së Madhe (Angli): “Paraja publike nuk ekziston. Ekziston vetëm paraja e taksapaguesve” (“There is no such thing as public money. There is only taxpayers’ money”). Përveç kësaj, vandalizmi nuk përputhet me dashurinë për Atdheun. Ndërsa dhuna është gjithmonë një fyerje kundër dinjitetit njerëzor. Pikërisht sot Jezusi na mëson e na fton të shohim këtë dinjitet në fytyren e çdo njeriu. Dhe mos të harrojmë se dhuna lind dhunë. Vetë Jezusi tha: “… të gjithë ata që kapen për shpatë, prej shpatës edhe do të vdesin.” (shih Mateu 26, 52).”

Po kështu, teksa foli ditën e sotme për mediat, Frendo zbuloi gjithashtu se nuk donte të ikte për kurim jashtë shtetit, pasi mendonte për ata që nuk e kishin një mundësi të tillë. Po kështu shtoi se e kishin dërguar me ngulm.

“Për mua shpirtërisht ka qenë rast të ndjehem më afër Jezu Krishtit, që ka transformuar dhimbjen, duke e bërë atë shpirtërore. Ishte rasti të ndihesha më afër të tjerëve, afër atyre që si unë po vuanin nga kjo sëmundje. Unë kam pasur fat, që më kanë dërguar jashtë shtetit. Në fillim unë nuk desha absolutisht të shkoja jashtë shtetit, sepse mendoja për ata që nuk kanë mundësi të ikin, por me ngulm më dërguan atje. Dua të shpreh edhe tani solidaritetin tim me të gjithë ata që janë duke vuajtur nga kjo sëmundje. Dëshiroj t’ju falënderoj të gjithëve. Situata është shumë e rëndë, kemi një numër mjaft të madh të personave që infektohen, megjithatë shpresoj ta gjejnë gjithmonë mbështetjen e atyre që kanë mundësi të ndihmojnë”, u shpreh Imzot Frendo.

 

 

 

Top Channel