Putin më në fund uron Joe Biden për fitoren: I gatshëm për bashkëveprim me presidentin e zgjedhur

15/12/2020 17:21

Presidenti rus Vladimir Putin ka dërguar më në fund urimet e tij për fitoren e Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të SHBA, disa orë pasi kolegji elektoral amerikan dha verdiktin final për rezultatin.

Putin është një nga liderët më të fundit botërorë që pranon fitoren e Biden, pasi Kremlini tha se do të priste deri në rezultatin zyrtar për fituesin e zgjedhjeve.
Pas procedurave të djeshme që konfirmuan Biden si fitues me 306 vota elektorale ndaj 232 të Donald Trump, Putin i uroi “presidentit të zgjedhur të gjithë sukseset” dhe tha se ishte i gatshëm të bashkëvepronte e të kontaktonte me Biden.

Putin shprehu gjithashtu besimin se “Rusia dhe SHBA, të cilat kanë përgjegjësinë më të madhe për sigurinë e stabilitetin global, megjithë diferencat e tyre, mund të ndihmojnë në zgjidhjen e shumë problemeve me të cilat përballet bota”.

Gjatë fushatës eletorale në SHBA Putin ka akuzuar Biden për retorikë të ashpër anti-ruse por ka mirëpritur thirrjet e tij për kontroll të armëve bërthamore.

Lideri rus dukej se gjithashtu ka mbrojtur Hunter Biden, të birin e presidentit të zgjedhur, kundër kritikave të presidentit Trump për aferat e biznesit në Ukrainë e Rusi.

Shumica e liderëve botërorë kanë përgëzuar Biden që prej parashikimeve si president i ardhshëm i SHBA muajin e kaluar, por Putin kishte mbajtur një heshtje të vështirë.

Ndërkohë në SHBA, Trump ka nisur një seri padish ligjore për manipulim të rezultatit të zgjedhjeve, të cilat sipas mediave amerikane nuk pritet të ndalojë rrugën e Biden drejt inaugurimit zyrtar më 20 janar.

Peskov dhe Putin vazhdimisht kanë sinjalizuar se janë të gatshëm të punojnë me cilindo president të zgjedhur në SHBA.

Biden ka qenë zv. president me demokratin Barack Obama, kur lidhjet e Moskës me Uashingtonin nisën rënien në nivelet e ulëta të Luftës së Ftohtë.

FOTO GALERI
3/3
Ndërkohë Trump ka nisur një seri padish ligjore për manipulim të rezultatit të zgjedhjeve

Top Channel