Një qytetar nga qyteti i Elbasanit ankohet në Fiks Fare për një gjobë të marrë që në datën 1 dhjetor . Ai tregon se edhe pse ka shkuar çdo ditë për pagesën nuk ka mundur ta kryejë për shkak se sistemi i gjobave ka dalë jashtë funksionit.

Ndërkohë tashmë kanë kaluar 10 ditë dhe gjobës së qytetarit i shtohet edhe kamata e vonesës për t’u paguar edhe pse jo për faj të tij, por të sistemit të gjobave që nuk punon.

Qytetari ka shkuar në polici për ta paguar gjobën, por ata e drejtojnë në postë. Kur qytetari shkon në postë për pagesën, kjo e fundit e drejton për tek Drejtoria e Transportit Rrugor si organi i vetëm që ndërhynë në sistem. Kështu kalojnë ditët për qytetarin dhe në fund gjobën nuk arrin ta paguajë dot ndërkohë që kamata e gjobës vijon të rritet duke rënduar në kurriz të qytetarit. Duke mos gjetur dot zgjidhje për ditë me radhë për këtë problem qytetari kërkon ndihmën e Fiksit.

Së bashku gazetarët dhe qytetari fillimisht i drejtohen zyrës së informacionit në policinë rrugore ku dhe paguhej gjoba. Aty i thonë që nuk mund ta kryejë pagesën për shkak se nuk punon sistemi dhe faji nuk është i tyre. Të njëjtën gjë i thotë dhe një polic që nuk ka sistem dhe nuk është problem vetëm për Elbasanin, por edhe për qytete të tjera. Sipas tij faji është i drejtorisë së transportit.

Qytetari shkon tek drejtoria e transportit për të marrë një përgjigje. Në këtë institucion i thonë se duhet të presë sa të rregullohet sistemi madje i thonë që me shumë gjasa mund të rregullohet ditën e sotme e shumta të nesërmen. Por deri më tani kanë kaluar 10 ditë e ndërkohë që ditët kalojnë lind pyetja: po kamat vonesën e gjobës kush e paguan?

Top Channel