Kolegji Elektoral në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka konfirmuar fitoren e demokratit Joe Biden. “Mbizotëroi vullneti i njerëzve” tha Biden pas konfirmimit të tij si president i zgjedhur i SHBA.

Në një deklaratë pas njoftimit, Biden tha se demokracia amerikane është shtyrë, testuar dhe kërcënuar por provoi se është elastike, e vërtetë dhe e fortë. Konfirmimi i rezultatit të zgjedhjeve nga Kolegji Elektoral është një nga hapat final që i duhet Biden për të marrë zyrën e tij më 20 janar.

“Nëse dikush nuk e dinte më parë, tani ne e dimë. Ajo që rreh thellë në zemrat e popullit amerikan është demokracia… Është e drejta për t’u dëgjuar. Që vota juaj të numërohet. Që ju të zgjidhni udhëheqësit e këtij vendi. Që të qeverisni veten,” tha zoti Biden.

Duke iu referuar përpjekjeve të zotit Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve përmes sfidave ligjore që janë refuzuar nga gjykatësit në të gjithë spektrin politik, përfshirë Gjykatën e Lartë, zoti Biden argumentoi se sistemi qeverisës i Amerikës mbetet i paprekur.

“Në Amerikë, politikanët nuk e marrin pushtetin, është populli që ua jep atyre”, tha ai. “Flaka e demokracisë është ndezur në këtë vend shumë kohë më parë. Dhe tani ne e dimë se asgjë, madje as një pandemi, apo një abuzim i pushtetit, nuk mund ta shuajë atë flakë,” tha zoti Biden.

Nga krahu tjetër, presidenti aktual Donald Trump nuk pritet ta pranojë rezultatin, shkruan BBC. Joe Biden fitoi në zgjedhjet e nëntorit me 306 vota elektorale kundrejt 232 që mori Donald Trump.

Top Channel