Kolegji do të vulosë zgjedhjet/ Anëtarët kanë nisur votimin për rezultatin e 3 nëntorit

15/12/2020 01:59

Anëtarët e Kolegjit Zgjedhor kanë nisur votimin në shtete të ndryshme për të çertifikuar zyrtarisht demokratin Joe Biden si presidentin e 46-të të Shteteve të Bashkuara. Por presidenti aktual, Donald Trump, vazhdon të këmbëngulë në mënyrë të pasaktë se ai ka fituar në zgjedhjet e muajit të kaluar.”

Kjo çështje nuk është mbyllur”, tha Trump për televizionin Fox News një ditë më parë megjithëse dhjetëra padi lidhur me pretendimet e tij se po i mohohet padrejtësisht një mandat i dytë, janë hedhur poshtë nga gjykatat.

“Ne vazhdojmë përpjekjet. Kemi çështje të shumta në shkallë lokale. Ne fituam në Pensilvani. Fituam në Miçigan. Fituam në Xhorxhia me diferencë të madhe”, shtoi ai. Por zyrtarët e zgjedhjeve në shtete kanë arritur përfundim tjetër dhe anëtarët e Kolegjit Zgjedhor janë mbledhur të hënën në kryeqytetet e shteteve në të gjithë vendin, kur pritet të konfirmojnë se Biden, siguroi 306 vota elektorale, nga 270 që është minimum i nevojshëm për të fituar.

Votat e Kolegjit Zgjedhor pritet të konfirmojnë se demokrati ka siguruar 306 vota elektorale, ndërsa Presidenti Trump 232, i njëjti rezultat me të cilin Trump fitoi ndaj demokrates Hillary Clinton në 2016, kur ai e quajti atë një fitore të thellë. Kolegji Zgjedhor është ai që përcakton fituesin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA e jo vota popullore, megjithëse Biden kryeson edhe në atë kategori, me më shumë se 7 milionë vota. Kongresi e rishikon dhe finalizon rezultatin zyrtar të Kolegjit Zgjedhor më 6 Janar.

Top Channel