Gjermania presion BE-së për miratim të shpejtë të vaksinës

15/12/2020 11:35

Gjermania po i bën presion autoriteteve të BE-së të përshpejtojnë miratimin e vaksinës së koronavirusit, ndërkohë që vetë ajo po përballet me një rritje infektimesh, ndërsa në Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka nisur tashmë vaksinimi masiv.

Zyra e kancelares Angela Merkel dhe Ministria gjermane e Shëndetësisë, sipas raporteve duan që Agjencia Evropiane e Ilaçeve të afrojë datën e miratimit të vaksinës së Pfizer dhe Biontech duke e zhvendosur atë nga 29 dhjetori, kur është paralajmëruar, në 23 dhjetor.

Gazeta gjermane Bild citon burime të paidentifikuara që thonë se vonesa e miratimit të vaksinës nga rregullatori i BE-së po rrit shqetësimet për aftësinë e Bashkimit Evropian për të vepruar.

Irritimi i Berlinit është më i madh edhe për shkak se BionTech është një kompani gjermane ndërsa vetë gjermania po përgatitet të hyjë në një izolim të pjesshëm, duke filluar nga e mërkura, me dyqanet jo të domosdoshme dhe shkollat që do të mbyllen dhe do të qëndrojnë kështu edhe për Krishtlindje dhe festën e Vitit të Ri.

Top Channel