Djali i Mirela Ramës që u mbyt nga stuhia në det: Policia kufitare nuk erdhi të na ndihmonte!

15/12/2020 15:17

Avdyl Rama akuzon policinë kufitare për papërgjegjësi dhe kërkon drejtësi për të ëmën.

Avdyl Rama i mbijetoi stuhisë së 5 gushtit në bregun e Himarës, pak pasi ishte nisur për peshkim bashkë me prindërit dhe një të afërm. E ëma, Mirela Rama u gjet e pajetë disa orë pas përmbysjes së varkës me të cilën peshkonin por për ngjarjen nuk janë kryer hetime.

Katër muaj  pas ngjarjes, i riu tregoi historinë e tij në “Shqipëria live”, pasi sipas tij institucionet përkatëse nuk po hetojnë për çështjen. “Vëllai ishte në port dhe lajmëroi policinë kufitare sapo nisi stuhia, por policia tha se ska kompetenca për të nxjerrë mjetin lundrues. Anijet që gjendeshin në port filluan të kërkonin ndërkohë që policia erdhi rreth katër orë me vonesë”- thotë Avdyli.

Peshkatari ka rrëfyer se e ka mbajtur të ëmën mbi një orë në det teksa përpiqej të dilte por stuhia dhe mjegulla më pas e detyroi të ndahej nga Mirela Rama.

Sot, ai kërkon drejtësi, që të kryhen hetimet përkatëse dhe të zbardhet ngjarja.

 

Top Channel