Bien infektimet në Greqi/ Rastet ditore me Covid si në fillim të muajit tetor

15/12/2020 02:42

Janë dashur 8 javë që Greqia të regjistrojë për të dytën ditë rrjesht, më pak se 700 raste ditore me Covid-19 duke ardhur përsëri në nivelet e dhjetëditëshit të dytë të muajit tetor.

Në 24 orët e fundit janë deklaruar prej autoriteteve shëndetsore vetëm 639 raste dhe numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus prej fillimit të pandemisë ka shkuar në 125.173.

Edhe sa i përket numrit të viktimave nga Covid-19 vihet re një tendencë në ulje, pasi në tre ditët e fundit kanë humbur jetën përkatësisht 68,85 dhe 62 pacientë duke e çuar në total numrin e viktimave në 3687. Por sipas zëdhënësit të qeverisë Stelios Petsas, duhet pasur kujdes prej të gjithëve në zbatimin e rregullave gjatë periudhës së Krishtlindjeve pasi mund të ketë një shpërthim të transmetimit të rasteve.

“Në prag dhe në ditën e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, u rekomandojmë të gjithëve, që këto festa të mos bëhen shkak për tu mbledhur të gjithë bashkë dhe në çdo rast, nuk lejohet të mblidhen në një shtëpi më shumë se 9 personave nga dy familje, ndërsa do të jetë në fuqi ora policore nga ora 10 e mbrëmjes deri në 5 të mëngjesit” – ka deklaruar z.Petsas.

Autoritetet shëndetsore shohin me shqetësim se ende nuk ulët numri i të intubuarve. Prej më shumë se 3000 pacientëve që trajtohen në spitalet greke me koronavirus, 558 kurohen në shtretërit e terapisë intensive.

Sipas një studimi të orëve të fundit për periudhën prej 15 tetorit deri në 3 dhjetor, Greqia shënoi një prej përqindjeve më të larta të vdekjeve në Europë, duke regjistruar 3,1 vdekje për 1000 të prekur, rreth dyfishin e shifrave të vendeve si Italia, Spanja, Franca dhe Britania.

Top Channel