A duhet të largohet Ardi Veliu? Përgjigjet Rama: Do dilja edhe unë në protestë, por vendoset me drejtësi kush ikën dhe kush vjen…

15/12/2020 12:19

Kryeministri Edi Rama, teksa është pyetur për një largim të mundshëm të Drejtorit të Policisë, Ardi Veliu, ka thënë se kjo nuk do të ndodhë. Ai është shprehur se nuk vendoset në rrugë kush ikën dhe kush vjen.

Më tej Rama ka thënë se nëse nuk do të ishte kryeministër do të dilte edhe vetë në protestën e parë të organizuar për vrasjen e Klodian Rashës, por sipas tij nuk do të ushtronte dhunë.

“Si mund të kërkojë këta të iki dhe Veliu. Nuk vendoset në rrugë kush ikën dhe kush vjen. Vendoset në bazë çarë është e drejtë. Ishte e drejtë që qeveria të kërkonte ndjesë. Jo se kishte gisht por djalin e vrau arma e shtetit. Ishte e drejtë që ministri i Brendshëm, të këmbëngulte që duhet të largohej jo se kishte përgjegjësi në ngjarje. Por sepse ishte e drejtë që mesazhi pikë së pari i pjesëmarrjes në dhimbjen e kësaj familje të mos ishte me fjalë. Moralisht ai tha atë që tha. Por këto nuk janë bërë si rezultat i protestës. Në kuptimin e  atyre njerëzve. Edhe unë do kisha dalë në protestë po të mos isha kryeministër. Do kisha dalë në atë të parën por jo për tu hedhur në fyt policëve dhe për të kapur dritaret e për të lëshuar gojën. Por për të dëshmuar indinjatë. Për  drejtësi.” tha kryeministri Edi Rama.

Top Channel