Udhëtim në 2200 metra lartësi/ Të pasionuarit e garave Rally arrijnë majën Kallkan në Librazhd

14/12/2020 15:45

Një nga sportet e veçanta dhe shumë të kushtueshme është ai i Rally-t, një kategori garash me makina që disa të rinj, apo “Naçut”, siç e quajnë grupimin e tyre, e shprehin në mënyrë pasioni.

Këtë fundjavë, nga Tirana, rreth 15 fuoristrada kanë vendosur të bëjnë këtë udhetim deri në Kallkan të Librazhdit, 2180 m, por jo të gjitha makinat këtu mundën të shkojnë më tepër se 1850 m, për shkak jo vetëm të terrenit të vështirë, por edhe borës.

“Jemi duke tentuar të mos mbesim, jemi në një lartësi diku 1800 m, po tentojmë të ngjitemi te maja e Kallkanit; është ajo aty rreth 2200 m. Po e bëjmë këtë punë për eksplorim, për qejf”, shprehet Dorian Nurka, garues.

Po sa kushton ky qejf?

“Sa të kesh mundësi për të shpenzuar i shpenzon. Te ky qejfi gjithësecili me financat e veta, me aq sa ka mundësi dhe me ndihmat që i japim njëri-tjetrit. Këtu ka makina që kushtojnë 2000 euro, por ka edhe makina që kushtojnë 40.000 euro”.

Pas disa orësh përpjekjeje, vetëm një pjesë e makinave u ngjit deri në majën e Kallkanit 2180 m. Pjesa tjetër vazhdojnë përpjekjet dhe kanë mbetur këtu, për t’u kthyer prapë në Tiranë. Një pjesë e quajnë sport, një pjesë pasion, megjithatë “Naçut”, siç e quajnë veten këta djem, kanë hapur sezonin e Borës.

Top Channel