SHBA, hakerat rusë sulmojnë Departamentin e Thesarit

14/12/2020 14:07

Hakera që dyshohet se janë rusë kanë hyrë në rrjetet e qeverisë amerikane, përfshirë Departamentin e Thesarit dhe atë të Tregtisë, si pjesë e një fushate disa mujore globale të spiunimit kibernetik, që besohet të ketë shënjestruar edhe qeveri të tjera dhe korporata të mëdha.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Ullyot tha përmes një deklarate më 13 dhjetor se qeveria ishte “duke marrë të gjitha hapat e nevojshëm për të identifikuar dhe korrigjuar çdo çështje të mundshme në lidhje me këtë situatë”. Ai nuk tha se kush qëndronte pas sulmit. Agjencia Reuters ishte e para që raportoi për këtë sulm kibernetik.

Zyrtarët e njohur me këtë çështje thanë se hakerat kishin në shënjestër Departamentin e Thesarit dhe Departamentit të Tregtisë, të dyja këto institucione përgjegjëse për vendosjen e politikës së internetit dhe të telekomunikacionit. Ekziston gjithashtu një shqetësim se rrjetet e agjencive tjera qeveritare mund të jenë komprometuar. Situata është aq serioze, sa që Këshilli i Sigurisë Kombëtare u mblodh në Shtëpinë e Bardhë më 12 dhjetor.

“Reuters” dhe “Washington Post” thanë se hakerat e qeverisë ruse besohet se qëndrojnë pas sulmit. Hetimet po kryehn nga FBI dhe agjenci të tjera. Shumë anëtarë të komunitetit të sigurisë kibernetike dyshojnë se grupi i hakerave i lidhur me inteligjencën ruse, i njohur si APT29, ose Ariu i Qetë, qëndronte pas sulmit.

 

 

Top Channel