Vaksina e parë antiCovid në Shtetet e Bashkuara iu administrua një infermiereje, Sandra Lindsay, një moment ky që shënon fillimin e fushatës më të madhe të imunizimit në Shtetet e Bashkuara.
“Është si çdo injeksion tjetër, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Ndihme shumë mirë, ndihem shumë e lehtësuar, por mbi të gjitha, sot ndihem e mbushur me shpresë”, tha Lindsay. “Uroj që ky të shënojë fillimin e fundit të një kapitulli shumë të dhimbshëm në historinë tonë. Dua të ndihmoj në forcimin e besimit publik se kjo vaksinë është e sigurt. Jemi në mesin e një pandemie, dhe duhet të bëjmë të gjithë detyrën tonë”.
Presidenti Donald Trump e përshëndeti këtë moment përmes një postimi në Twitter.
“Vaksina e parë u administrua. Urime SHBA! Urime Botë”, ka shkruar ai.
Miliona doza të vaksinës së Pfizer/BioNTech po shpërndahen në mbarë vendin, ndërsa 150 pritet të marrin ngarkesën e parë brenda ditës së sotme. Programi amerikan i vaksinimit synon që deri në muajin prill, të imunizohen 100 milionë persona. Vdekjet nga Covid-19 po i afrohen shifrës 300 mijë në Shtetet e Bashkuara, që ka aktualisht numrin më të madh të viktimave nga kjo sëmundje në mbarë globin.
Vaksina Pfizer/BioNTech e mori të premten autorizimin urgjent nga Administrata amerikane e Ushqimit dhe Ilaçeve. Shpërndarja e saj vjen në një kohë kur epidemia vazhdon të shkatërrojë vendin, me vdekjet të rritura ndjeshëm që nga muaji nëntor dhe numri i të shtruarve në spital që vazhdon të rritet. Por pavarësisht kësaj situate, mbetet i lartë skepticizmi publik në lidhje me sigurinë e vaksinës, ndërsa anketat tregojnë se shumë të rritur thonë se nuk do ta marrin vaksinën ose janë të pasigurt që të vaksinohen.
Top Channel