Ka përfunduar dita e gjashtë e protestave për vrasjen e të riut Klodian Rasha.
Protestuesit marshuan nga sheshi ‘Skëndërbej’ drejt Kryeministrisë, për t’u kthyer para Ministrisë së Brendshme.
Pas dorëheqjes së Sandër Lleshajt, nga posti i Ministrit të Brendshëm, tashmë ata kërkojnë edhe largimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe lirimin e të arrestuarëve.
Gjatë protestës së sotme nuk u raportua për asnjë incident dhe ka vijuar në heshtje për rreth dy orë e gjysmë.
Policia ka qenë edhe sot në gatishmëri duke rrethuar institucionet kryesore. Gjithashtu efektivët kanë qenë prezentë edhe në qendër të sheshit, por nuk ka pasur asnjë ndërhyrje të tyre apo thirrje që protestuesit të largohen për të shmangur grumbullimet, kjo për shkak protestuesit kanë qenë të shpërndarë. Gjithashtu, u vendos kordon policie përpara godinës së Kryeministrisë dhe nuk ka pasur përballje mes demonstruesve dhe policisë.
Thirrjes për protestë i janë përgjigjur vetëm disa qytetarë.
“Jemi një vend shumë i vogël dhe ligji bëhet me vdekje”, dëgjohej të thuhej nga një prej protestueseve.
“Dhuna nuk hiqet me dhunë, por me mirëqenie, me drejtësi. S’ka politikë, kush vret vritet. Dhuna sjell vetëm dhunë, trajtimi i keq sjell vetëm keqtrajtim. Përçarja krijon më tepër drama. Gjuha e urrejtjes krijon më tepër përçarje. Duhet të mbrojmë interesat e shqiptarëve ”, u shpreh një tjetër qytetare.
“Jo politikë, jo politikë”, dëgjohej nga turma e mbledhur në sheshin Skëndërbej.
Top Channel