Londra në karantinë/ Zbulohet një variant i ri i virusit

14/12/2020 19:50

Londra kalon të mërkurën në nivelin e tretë dhe më të rreptë të masave antiCovid, që nënkupton karantinimin e plotë.

Situata e rënduar në vend ka shtyrë autoritetet të kalojnë në hapat më ekstreme, që përfshijnë izolimin total, edhe pse deri tani ishin përpjekur ta shmangin një vendim të tillë. Kjo lëvizje konsiderohet se do të ketë efekte shkatërruese mbi biznesin e goditur fort prej pandemisë këtë vit, me mbylljen që vjen pikërisht në kohën më fitimprurëse të vitit, atë të festave të Krishtlindjeve e vitit te ri.

Ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock pohoi para ligjvënësve se kjo masë është e domosdoshme.

“Variant i ri i koronavirusit është identifikuar”, deklaroi ai, “ përhapet shumë më shpejt se i pari”.

Të paktën 60 autoritete të ndryshme lokale në Angli kanë regjistruar infeksioneve të Covid-19, të cilat janë shkaktuar nga një variant i ri i virusit. Organizata Botërore e Shëndetësisë është njoftuar tashmë për këtë zhvillim dhe kanë nisur disa studime më të detajuara.

Sipas Hancock megjithatë, nuk ka asgjë që të sugjerojë se ky variant i virusit, i cili është vënë më shumë në Anglinë Jugore,  shkakton dëmtime më të rënda apo se vaksinat nuk do të funksionojnë më. Nga e mërkura, qeveria britanike pritet të rishikojë nivelet e masave edhe për pjesën tjetër të vendit.

Top Channel