Së shpejti në bazën ajrore të Kuçovës do të dëgjohen makineritë, për t’ia lënë vendin më pas zhurmës së munguar të avionëve.

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka u shpreh sot se investimi në këtë bazë ka tërhequr vëmendjen e 36 kompanive të huaja dhe shqiptare, të cilat u njohën në terren nga zyrtarët e NATO-s, me procedurat, dokumentacionin dhe sheshet e ndërtimit në bazë.

“Punimet për ta kthyer bazën e Kuçovës në të parën bazë ajrore të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, pritet të nisin pas përfundimit të procedurave të zakonshme”, u shpreh Xhaçka.

Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi në tetor marrëveshjen teknike ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Mbështetjes dhe Prokurimit të NATO-s, për realizimin e projekteve të Kuçovës, të financuara nga programi i investimeve të NATO-s për sigurinë, vitet 2019-2022.

Top Channel