“Tym i zi” në Bruksel, marina britanike nis patrullimin

12/12/2020 16:33

Bisedimet tregtare mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian janë në orët e fundit të tyre. Liderët e të dyja palëve kanë paralajmëruar se ka pak gjasa që të arrihet një marrëveshje tregtare e pas Brexit-it brenda kësaj jave.

Të premten, Boris Johnson foli për përgatitje të Britanisë për një skenar pa marrëveshje. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes tha se katër anije patrullimi të marinës mbretërore janë gati të mbrojnë ujërat e peshkimit të Britanisë së Madhe. Skadenca e të dielës u vendos nga Johnson dhe presidentja e Komisionit Evropian,. Ursula von der Leyen, pasi të dy ata u takuan në Bruksel të mërkurën, pas muajsh bisedime të dështuara.

Johnson tha se BE duhet të bëjë një ndryshim të madh në pikat kyçe si ato të të drejtave të peshkimit dhe rregullat të konkurrencës në biznes, ndërsa Von der Leyen tha se skenari pa marrëveshje është përfundimi më i mundshëm i bisedimeve të vështira. BE ka refuzuar kërkesën e Johnson-it për të anashkaluar komisionin evropian dhe për të folur direkt me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelaren gjermane, Angela Merkel për çështjet e pazgjidhura.

Sipas zyrtarëve të BE-së, atij iu tha se diskutimet mund të vijonin vetëm përmes kryenegociatorit të bllokut, Michel Barnier, që po takohet me homologun e tij britanik në Bruksel. Nëse një marrëveshje tregtare nuk arrihet dhe nuk ratifikohet nga palët deri më 31 dhjetor, Britania e Madhe dhe BE-ja mund të vendosin tarifa mbi mallrat e njëri tjetrit. Kjo do të çonte mes të tjerash, në çmime më të larta për të njëjtat mallra.

Top Channel