Thirrja e SHBA: Ndalni dhunën! Ata që kanë qenë në pushtet mos bëjnë gabimet e së kaluarës

12/12/2020 02:16

Vdekja e Klodian Rashas thotë ambasada amerikane në Tiranë, është një tragjedi dhe ne i shprehim ngushëllimet më të thella familjes dhe miqve të tij.

Në deklartatën e përfaqësisë së Washingtonit në vendin tonë thuhet se gjatë ditës së premte Ambasadorja Kim bisedoi me Kryeministrin Rama, Drejtorin e Policisë Veliu, Kryetarin e Partisë Demokratike Basha dhe Kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim Kryemadhi, për të diskutuar mbi të drejtat e qytetarëve dhe përgjegjësitë e udhëheqësve.

‘Ajo nënvizoi se ata që janë në pushtet kanë përgjegjësinë të sigurojnë një hetim të plotë dhe transparent të incidentit, të ushtrojnë përmbajtje në mbrojtjen e sigurisë dhe pronës publike, si dhe të sigurojnë llogaridhënie në të gjitha rastet. Në këtë drejtim, ne vërejmë se autoritetet kanë ndaluar oficerin në fjalë dhe kanë nisur hetimet.

Ata që kërkojnë të jenë në pushtet duhet të shfaqin aftësinë e tyre për të udhëhequr në një mënyrë të përgjegjshme, përfshirë edhe duke refuzuar dhunën. Ata që kanë qenë në pushtet më parë nuk duhet të përkeqësojnë gabimet e së kaluarës, duke sugjeruar se dhuna është e pranueshme’- thuhet në deklaratë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara thuhet në vijim të deklaratës, u bën thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje, në përputhje me përgjegjësitë e tyre, në mënyrë që të drejtat e të gjithë qytetarëve shqiptarë të mbrohen, dhe që zërat e tyre, përfshirë atyre në protestë, të kenë mundësi të shprehen dhe të dëgjohen pa dhunë.

Top Channel