Fushata pozitive në eliminatoret e fundit dhe sasia e pikëve të grumbulluara i ka ngjitur kuqezinjtë e vegjël në një vazo më të mirë për shortin e ardhshëm, e rrjedhimisht kundërshtarë disi më të lehtë në numër.

21 vjeçarët premtojnë shumë për të ardhmen. Në shortin e muajit janar, ku kuqezinjtë do të njohin kundërshtarët e eliminatore të ardhshme për Euro 2021, Shqipëria do të jetë në vazon e katërt. Trajneri Alban Bushi është një nga arkitektët e suksesit.

“Ngjitja në vazon e katërt më bën të ndihem mirë. Tregon se është bërë një punë e mirë nga të gjithë futbollistët, të cilët gjej rastin t’i falënderoj, nga i pari te i 40-ti, duke parë që ishin plot 40 futbollistë që morën pjesë këtë edicion. Ishin eliminatore shumë të mira, sepse në fund ne arritëm të grumbullojmë 14 pikë si asnjëherë më parë, duke u renditur në vendin e tretë, diçka fantastike për ne’- tha Bushi.

Marash Kumbulla dhe Armando Broja janë vetëm dy prej lojtarëve të promovuar në kombëtaren A, një prej objektivave të arritur të teknikut të Shpresave.

“Kalimi i lojtarëve te Kombëtarja A është një tjetër objektiv i arritur. Shumë lojtarë kanë kaluar te ekipi A, në shifra si asnjëherë më parë. Kjo është një punë e bërë shumë mirë nga Federata Shqiptare e Futbollit, sepse jo vetëm ekipi U-21, por të gjitha moshat nga U-15 deri te U-21 kanë punuar’- vijoi Bushi.

Trajneri Bushi është i bindur se me të gjithë grupin e mundshëm në dispozicion rezultati i skuadrës kuqezi do të ishte edhe më i mirë.

Top Channel