Shkollë e re në Durrës/ Kryeministri inspekton punën për rindërtimin e shkollës “Bedrie Bebeziqi”

12/12/2020 16:05

Kryeministri Edi Rama iu rikthye paraditen e kësaj të shtune, inspektimeve të rindërtimit kësaj here në Durrës, ku po ndërtohet shkolla e re 9-vjeçare “Bedrie Bebeziqi” për 450 nxënës.

“Janë 12 klasa, 4 laboratorë. Objekti zhvillohet në 4 dhe në 5 kate. Shkolla është e pozicionuar në qendër të qytetit. Korridori është me klasa të pozicionuara në një anë të tij, duke marrë dritë kështu nga të dy anët. Korridori është me shkallë emergjence dhe shkolla do të ketë një oborr të brendshëm”, shprehet kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako.

Krahas shkollave në Durrës ka nisur ndërtimi i 12 pallate të reja në të njëjtin vend, ku ngriheshin pallatet e vjetra e të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit të vitit të kaluar.

“Sot kemi në Durrës përfaqësuesin më të lartë të kompanisë nga Emiratet e Bashkuara që ka marrë përsipër ndërtimin e gjithë 2000 apartamenteve. Baza do jetë në lagjen e re që do ndërtohet në Spitallë dhe njëkohësisht, edhe këto godinat e tjera të pikëzuara siç i quajmë ne, individuale, pallate që do ndërtohen aty ku faktikisht janë shembur, do të jenë pjesë e të gjithë projektit që  së bashku me kompaninë e famshme të Emirateve do ta çojmë përpara”.

Në Durrës tha kryeministri do të ndërtohet porti i ri, që sipas tij do të jetë një  nga portet më të bukura turistike të Mesdheut në Durrës.

 

Top Channel