SHBA/ Vaksinimi për Covid-19 mund të fillojë të hënën

12/12/2020 21:04

Shtetet e Bashkuara autorizuan përdorimin e vaksinës COVID-19 të kompanisë Pfizer të premten, me vaksinimet e para që priten brenda pak ditësh, duke shënuar një pikë kthese në një vend, ku sipas Universitetit Johns Hopkins, pandemia u ka marrë jetën më shumë se 295,000 njerëzve.

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Ilaçeve dha autorizimin për përdorimin emergjent të vaksinës, të zhvilluar me partnerin gjerman BioNTech, që ka demonstruar të jetë 95% e efektshme në parandalimin e sëmundjes. Vaksina mund të merret nga mosha 16 vjeç e lart.

Punonjësit e shëndetësisë dhe të moshuarit në institucionet e azilit pritet të jenë përfituesit kryesorë në raundin e parë të vaksinimit me 2.9 milionë doza këtë muaj. Shefi ekzekutiv i kompanisë BioNTech, Ugur Sahin tha se vaksina “do të ndihmojë për të shpëtuar jetë në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe mund të përshpejtojë kthimin në normalitet”.

Autoritetet shëndetësore amerikane, shërbimet e transportit, spitalet dhe farmacitë janë përgatitur për një fushatë mbarëkombëtare vaksinimi. Kompania Pfizer tha se do të fillonte transportin menjëherë dhe sistemet shtetërore të shëndetit publik kanë planifikuar të fillojnë vaksinimin qysh të hënën.

Qeveria planifikon të përshpejtojë vaksinimet në javët dhe muajt e ardhshëm, veçanërisht nëse një vaksinë e dytë nga Moderna Inc. miratohet së shpejti. Një grup këshillues i Qendrës amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve do të takohet të shtunën për të bërë rekomandime nëse disa grupe të tilla si gratë shtatzëna dhe 16-vjeçarët duhet të imunizohen.

Autorizimi vjen ndërsa rastet me COVID-19 po rriten në Shtetet e Bashkuara, me mijëra vdekje në ditë, ndërsa njësitë e kujdesit intensiv të spitaleve në të gjithë vendin janë pranë kapacitetit, duke kërcënuar të mbingarkojnë sistemet e kujdesit shëndetësor./VOA

Top Channel