SHBA/ Senati miraton ligj për ndalimin e kompanive anonime guaskë

12/12/2020 04:14

Senati amerikan miratoi të premten një projekt-ligj që reformon rregullat në luftën kundër pastrimit të parave dhe ndalon kompanitë anonime guaskë.

Kjo masë shihet si një fitore për agjencitë ligjzbatuese dhe grupet e të drejtave, të cilat prej kohësh kërkojnë ndryshime, për ta bërë më të lehtë zbulimin e parave të paligjshme. Projektligji kërkon që kompanitë t’i raportojnë qeverisë se cilët janë pronarët e tyre të vërtetë, lejon shkëmbim më të madh informacioni midis agjencive ligjzbatuese dhe autorizon përdorimin e metodave të reja për monitorimin e veprimtarive të dyshimta.

Goditja ndaj mënyrave të ligjshme që lejojnë kriminelët dhe terroristët të lëvizin para nëpër botë është bërë një çështje urgjente për autoritetet pas një serie skandalesh vitet e fundit, të cilat kanë nxjerrë në shesh përmasat e vërteta të qarkullimit të parave të paligjshme në botë. Sipas autoriteteve, rregullat e dobëta në Shtetet e Bashkuara për zbulimin e pronarëve të vërtetë të korporatave kanë lejuar kriminelët të përdorin subjekte juridike për të zhvendosur paratë e tyre nëpër botë.

“Komuniteti global i zbatimit të ligjit dhe i sigurisë kombëtare do të kenë përfitime të mëdha nga politika kundër pastrimit të parave që ndalon aktorët e këqij të përdorin kompanitë guaskë për ta transferuar krimin përtej kufijve ndërkombëtarë,” tha Greg Baer, shef ekzekutiv i Institutit të Politikave Bankare, i cili loboi për ndryshimet.

Nëse nënshkruhet në ligj nga presidenti, masa e re do të ndihmojë bankat, duke i lejuar ato të ndajnë barrën e identifikimit dhe ndjekjes së veprimtarive të paligjshme.

Top Channel