Prindi “helikopter”/ Ekspertët këshillojnë se kur duhet të tërhiqemi nga mbrojtja e fëmijëve

12/12/2020 15:40

Në përditshmërinë tonë hasim prindër që u rrinë si shqiponjë mbi kokë fëmijëve të tyre, janë më protektivë seç duhet. Në psikologji ky njihet si “prindi helikopter”. Por a është i shëndetshëm ky lloj prindërimi?

“Ky lloj prindërimi, mund të të shpërblejë në afat të shkurtër. Që do të thotë që ti e kursen fëmijën tënd nga ccdo zhgënjim, rrëzim, zënkë, thyerje zemre, nga çdo dështim I vogël, qoftë në kopsht apo në shkollë. Unë njoh prindër, që ja lidhin këpucët fëmijës së tyre, deri në moshën 10 vjeçare. Njoh prindër që duan vetëm 10 në projektet e fëmijëve të tyre në shkollë. Njoh prindër që ju duket krejt normale të zgjidhin detyrat e fëmijëve të tyre”, shprehet Milena Turtulli, eksperte prindërimi.

Po kur duhet të fillojë një prind që të tërhiqet dalëngadalë, shtrohet pyetja.

“Që kur fëmija hedh hapat e parë, një prind që i rri para-mbrapa dhe mundohet të parandalojë çdo rënie të vogël, nuk do të bëjë gjë tjetër, veçse do të shtyjë kohën e mësimit të të hedhurit të hapave vetë, fëmijës së tij. Ne duhet të jemi udhërrëfyesi i tyre, të jemi pikë referimi, por jo t’i zgjidhim vetëm ne problemet e tyre. Ata mund të marrin edhe nota të këqija dhe ky nuk është një dështim, por është thjesht pjesë e procesit të të rriturit. Ky fëmijë bëhet nesër një i rritur që nuk ka aspak besim në veten e tij, ka një vetëvlerësim shumë të ulët, është një i rritur që do të ketë problem ne zgjidhjen e problemeve të ndryshme, në fusha të ndryshme, qofshin këto të ndërveprimit social, qofshin familjare, në shkollë, apo në vendin e punës”.

Top Channel