Ndizen dritat e pemës/ Vatikan, ceremoni pa spektatorë…

12/12/2020 16:16

Rreth 100 persona u mblodhën për ceremoninë e përvitshme të ndezjes së dritave në skenën e lindjes së Krishtit dhe pemës së Krishtlindjes në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.

Një numër i madh vizitorësh ndërkohë nuk u lejuan brenda për shkak të kufizimeve nga Covid-19. Më herët gjatë javës, Papa Françesku dha një mesazh shprese në këtë periudhë të vështirë.

“Siç mund ta shihni, në shesh, pema e Krishtlindjes është ngritur. Këto ditë, në shumë shtëpi, këto dy simbole të Krishtlindjes po përgatiten për gëzimin e fëmijëve dhe të rriturve. Pasi ato janë shenja shprese, veçanërisht në këtë periudhë të vështirë”, tha Papa.

Skena e lindjes së Krishtit, me qeramika iu dhurua Vatikanit nga qyteti Casteli, në Italinë qendrore. Ndërsa bredhi 28 metra i lartë u dhurua nga Sllovenia. 54 statujat artistike të qeramikës që përbëjnë skenën e lindjes së Krishtit u krijuan nga instituti i arteve të Casteli-t, nga mësues dhe studentë atje, mes viteve 1965 dhe 1975.

Është traditë që Papa Françesku të vizitojë skenën në mbrëmjen e ndërrimit të viteve, por është e paqartë nëse do ta bëjë këtë këtë vit, për shkak të kufizimeve nga pandemia.

Top Channel